Bota nderon ish-sekretaren Madeleine Albright, Biden: Ndryshoi rrjedhën e historisë, ndihmoi në ndaljen e gjenocidit në Ballkan! Të pranishëm Kurti e Osmani

Bota nderon ish-sekretaren Madeleine Albright, Biden: Ndryshoi rrjedhën e historisë, ndihmoi në ndaljen e gjenocidit në Ballkan! Të pranishëm Kurti e Osmani

Presidenti Joe Biden nderon ish-sekretaren Madeleine Albright

"Ajo bëri ndryshimin e rrjedhës së historisë", "trashëgimia e saj po vazhdon të nderohet në Kosovë, Bosnjë dhe vende të tjera", ishin disa prej fjalëve dedikuar nga liderë amerikanë për ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila ndërroi jetë më 23 mars.

Të udhëhequr nga presidenti amerikan, Joe Biden, dhe paraardhësit e tij, Barack Obama dhe Bill Clinton, rreth 1,400 veta janë mbledhur më 27 prill në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, për të kujtuar arritjet e saj. Presidenti Biden vlerësoi lart kontributin e Albrightit.

"Emri i saj është ende sinonim për Amerikën si forcë për të mirë në botë", tha Biden, duke kujtuar se gjatë shërbimit si ambasadore në Kombet e Bashkuara dhe më pas në postin e sekretares së Shtetit, Albright ndihmoi në "ndaljen e gjenocidit në Ballkan. Me mirësinë, humanizmin dhe intelektin e saj, ajo bëri ndryshimin e rrjedhës së historisë. Ne sot nderojmë një amerikane krenare, e cila na bëri të gjithë ne që të jemi më krenarë që jemi amerikanë”, tha Biden.

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, kujtoi udhëtimin e fundit me Albrightin në Kosovë, në 20-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s. Ai tha se trashëgimia e Albrightit për kontributin në Kosovë, Bosnjë dhe shtete të tjera, vazhdon të nderohet.

"Kaluam një ditë të lumtur së bashku dy vjet më parë në Kosovë, 20 vjet pas konfliktit atje. I çliruam nga rreziku real i gjenocidit. Ecëm dorë për dore në rrugët e Prishtinës, në një ditë me diell të qershorit. Rrugëve kishin dalë çerek milion persona, që është numër i madh njerëzish në një shtet të vogël si Kosova. Dhe arritëm te subjekti i shëtitjes sonë, që ishte një bust i bukur i Madeleine që ishte nderimi i tyre për ndihmën e saj. E shohim nderimin e trashëgimisë së saj për të gjitha gjërat që ka bërë për Kosovën, Bosnjë dhe e shohim në shumë mënyra. Sot këtu me ne është presidentja, ish-presidentja dhe kryeministri i Kosovës. Po ashtu këtu është edhe ish-ministri i Jashtëm i Bosnjë e Hercegovinës. U desh të ndodhte masakra e Srebrenicës që të kishim mblidheshin mjaftueshëm njerëz që të bëhej ajo që sot po bëhet në një mënyrë tjetër në tentim për ta shpëtuar Ukrainën", shtoi Clinton.

Ndërkaq, ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, tha se lufta në Ukrainë, kërkon që edhe një herë bota të ndjekë shembullin e Albrightit dhe qëllimin që kishte ajo gjatë punës si sekretare e Shtetit.

“Ngrihuni kundër diktatorëve dhe demagogëve, nga fushëbetejat e Ukrainës deri në korridoret e institucioneve tona, mbroni demokracinë në shtëpi me aq vendosmëri siç e bëjmë jashtë vendit”, tha Clinton.

Albright, e zgjedhur nga Clinton, ka qenë gruaja e parë amerikane në pozitën e sekretares së Shtetit. Ajo ka vdekur nga kanceri në moshën 84-vjeçare. Në ceremoninë përkujtimore, është i pranishëm edhe sekretari aktual i Shtetit, Antony Blinken, dhe paraardhësit e tij, Condoleezza Rice dhe John Kerry, do të jenë të pranishëm. Zyrtarët e tjerë të lartë janë të pranishëm, përfshijnë: sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, drejtorin e CIA-s, Bill Burns, dhe këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.

Nga autoritetet e huaja po marrin pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, si dhe zyrtarë të lartë nga Bosnje e Hercegovina, Republika Çeke dhe Kolumbia.

Albright ka lindur në Çekosllovakinë e atëhershme, por familja e saj është larguar dy herë - fillimisht nga nazistët dhe më pas nga sundimi sovjetik. Ata kanë përfunduar në Shtetet e Bashkuara, ku Albright ka studiuar në Kolegjin Ëellesley. Gjatë viteve, ajo është ngjitur në qarqet e politikës së jashtme të Partisë Demokratike, për t’u bërë fillimisht ambasadore në Kombet e Bashkuara.

Clinton e ka zgjedhur sekretare të Shtetit në vitin 1996, për mandatin e tij të dytë presidencial. Edhe pse nuk ka qenë kurrë në radhë për presidente, për shkak të lindjes në një vend të huaj, Albright është admiruar pothuajse nga të gjithë, përfshirë edhe kundërshtarët e saj politikë.

Si një refugjate çeke që ka parë tmerret e Gjermanisë naziste dhe të Perdes së Hekurt, ajo nuk ka qenë e butë. Si sekretare e Shtetit, ajo ka luajtur një rol kyç për të bindur administratën Clinton, që të luftojë udhëheqësin jugosllav, Sllobodan Millosheviq, për trajtimin që u ka bërë shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë është cilësuar si “Lufta e Madeleinet”.

Si ambasadore e OKB-së, ajo ka udhëhequr një politikë të ashpër të SHBA-së, sidomos kundër Millosheviqit, për shkak të luftës së tij në Bosnje, në vitet ’90. Ajo ka mbajtur qëndrim të ashpër edhe ndaj Kubës. Në një fjalim në Kombet e Bashkuara, ajo ka thënë se rrëzimi i një aeroplani civil, më 1996, nga Kuba, nuk ka qenë akt “i guximshëm”, por “frikacak”.

Në vitin 2012, Obama i ka dhënë Albrightit Medaljen Presidenciale të Lirisë - që është nderimi më i lartë civil i vendit - duke thënë se jeta e saj ka qenë frymëzuese për të gjithë amerikanët.

Kush ishte Madeleine Albright?

E lindur si Marie Jana Korbel në Pragë, më 15 maj, 1937, ajo ka qenë vajza e diplomatit Joseph Korbel. Familja ka qenë hebreje, por është konvertuar në katolicizmin romak, kur ajo ka qenë 5 vjeçe. Tre nga gjyshërit e saj hebrenj kanë vdekur në kampe të përqendrimit. Këndvështrimi i Albrightit thuhet se është formuar pjesërisht nga prejardhja e saj. Familja e saj është larguar nga Çekosllovakia në vitin 1939, pasi nazistët kanë pushtuar këtë vend. Vitet e luftës, ajo i ka kaluar në Londër.

Pas luftës, kur Bashkimi Sovjetik ka pushtuar pjesë të mëdha të Evropës Lindore, familja e saj ka migruar në Shtetet e Bashkuara. Ata janë vendosur në Denver, ku babai i saj ka ligjëruar në Universitetin e Denverit. Një nga studentët më të mirë të Korbelit ka qenë Condoleezza Rice, e cila më vonë do ta pasonte vajzën e tij si sekretare e Shtetit. Albright ka diplomuar në Kolegjin Wellesley në vitin 1959. Ajo ka punuar si gazetare dhe më vonë ka studiuar marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin e Kolumbias. Pasi ka marrë diplomën master në vitin 1968 dhe doktoraturën në vitin 1976, ajo ka hyrë në politikë./REL

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:17
Kurti në homazhet për Albright: Bëri shumë për lirinë e Kosovës

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka marrë pjesë në homazhet për ish-sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright. Kurti shkruan se Albright bëri shumë për lirinë e Kosovës.

“Bashkë me presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, dhe ish presidenten, znj. Atifete Jahjaga, morëm pjesë sot në ceremoninë e varrimit të ish sekretares së Shtetit të ShBA-së, znj. Madeleine Albright, në ambientin historik të Katedrales Kombëtare të Uashingtonit. I dhamë lamtumirën e fundit një gruaje që ka kontribuar më shumë se gati çdokush tjetër për popullin tonë, në momentet e tij më të vështira.

Nga ambasadore e ShBA-ve në OKB te Sekretare Amerikane e Shtetit, nga administrata e Presidentit Jimmy Carter tek ajo e Presidentit Bill Clinton, nga përvoja në fëmijëri si refugjate e persekutimit nazist te vepra e saj e fundit mbase më i rëndësishmi libër anti-fashist në shekullin XXI, Zonja Sekretare Madeleine Albright ka lënë trashëgimi tejet të pasur për politikën, diplomacinë dhe historianët. Kurse për Kosovën dhe shqiptarët ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë dhe emri i saj i përveçëm Madeleine Albright i përkasin të njëjtës fjali.

Në kuadër të ceremonisë, patëm rast të takoheshim me mysafirë të tjerë dhe miq të çmuar të Kosovës, duke përfshirë sekretarin aktual të Shtetit, z. Antony Blinken, ish presidentin e ShBA-së, z. Bill Clinton, ish zëvëndëspresidentin, z. Albert Gore, ish sekretarët e Shtetit znj. Hillary Rodham Clinton, znj. Condoleezza Rice dhe z. John Kerry, si dhe ish kongresistin z. Eliot Engel. Përveç Presidentit Joseph Biden, ish Presidentit Bill Clinton dhe ish Sekretares së Shtetit Hilary Clinton, fjalim prekës mbajtën edhe tri vajzat e saj: Alice, Anne dhe Katharine”, shkruan Kurti.

Ora 22:03
Osmani në homazhet e ish-sekretares së shtetit: Falënderues për kontributin e Albright për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti morën pjesë në homazhet në nder të ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright. Osmani shkruan se do të jenë gjithmonë falënderues për kontributin që ka dhënë Albright për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë.

“Sot, në Washington D.C., i dhamë lamtumirën e fundit mikes së madhe të Kosovës, gardianes së lirisë e demokracisë dhe zërit të fuqishëm të popullit tonë, Madeleine Albright. Jemi përgjithmonë falënderues për kontributin e jashtëzakonshëm të sekretares Albright për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë, si dhe mbështetjes së saj të vazhdueshme për Kosovën e lirë, të pavarur, të zhvilluar e me vendin e merituar në arenën ndërkombëtare. Sekretarja Albright e njohu dhimbjen e popullit tonë, e ne do ta vazhdojmë përpjekjen e saj, për ta avancuar dhe për ta mbrojtur demokracinë! Miqësinë me Amerikën e kemi të përjetshme, siç do ta kemi kujtimin për Sekretaren Albright”, shkruan Osmani.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Une: 27/04/2022 20:20

    Nderime zonje e madhe! U prehte ne paqe

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Dibrës, PS përmbys rezultatin merr 3 mandate deputetësh kundër 2-ve të PD-së

Sondazhi i Dibrës, PS përmbys rezultatin merr 3 mandate deputetësh kundër 2-ve të PD-së