Bashkimi Evropian dhe Kanadaja pritet të shpallin në samitin e tetorit një partneritet të ri dhe më të gjerë, që do të përfshijë tregtinë dixhitale, energjinë, teknologjinë, mbështetjen për Ukrainën dhe përballimin e sfidave klimatike.

Mediat e huaja bëjnë me dije se në kuadër të marrëveshjes, palët synojnë të forcojnë zinxhirët e furnizimit, të rrisin investimet në minerale kritike dhe energji me karbon të ulët, si dhe të bashkëpunojnë për përballimin e zjarreve në pyje. BE-ja dhe Kanadaja pritet gjithashtu të njoftojnë blerjen e përbashkët të 50 avionëve zjarrfikës, që do të përdoren në Evropë dhe Kanada nga viti 2030.

“Bota po ndryshon me shpejtësi, me sfida të papara gjeopolitike, si dhe sfida në fushat e tregtisë, energjisë, teknologjisë, klimës dhe burimeve ”, thuhej në një draft deklarate të përbashkët të shpërndarë ambasadorëve të BE-së në përgatitje të samitit të planifikuar të BE-së më 29 tetor.