Adnan Januzaj i cili luan për kombëtaren e Belgjikës ka shënuar golin e katërt shqiptar në Kupën e Botës "Rusi 2018". Kjo ishte ndeshja e parë e Januzajt në këtë Botëror dhe paraqitja e sulmuesit në fushën e lojës ka qenë e kënaqshme.
Sulmuesi me origjinë shqiptare shënoi një supergol në portën e Anglisë në minutën e 50, sfidë kjo e vlefshme për kreun e Grupit G. Të dy ekipet kishin fituar ndeshjet e para dhe kishin nga 6 pikë e njëherazi kishin siguruar edhe kualifikimin për në 1/8-at. Por ajo që mbetej për t'u mësuar ishte se cili nga ekipet do rrëmbente vendin e parë, Anglia apo Belgjika.
Fati ishte me belgët të cilët falë një perle të Januzajt e shohin veten në krye të tabelës me 9 pikë, tre fitore në tre ndeshje. Rezultati mbetet i pandryshuar deri në fundin e takimit dhe ata që buzëqeshin janë "demat e kuq".
Në 1/8-at, Belgjika do ndeshet kundër Japonisë, ndërsa Anglia do përballet me Kolumbinë. Në ndeshjen tjetër të Grupit G, Tunizia dhe Panamaja nuk kishin asnjë pretendim dhe luajtën thjesht për statistikë. Sfida u fitua nga afrikano-veriorët me shifrat 2:1.

/Shqiptarja.com
Komente
