Në Ditën e Rinisë, Sali Berisha ka premtuar rithemelimin e Partisë Demokratike si parti e studentëve, siç ishte edhe pikënisja e saj. I pranishëm në sheshin 'demokracia', ku kreu homazhe te shtatorja e Azem Hajdarit, në prani të bashkëshortes së tij, Fatmira dhe djalit të vogël Azemit, Berisha rikujtoi Lëvizjen e Dhjetorit, për të cilën tha se ishte lëvizja e idealeve më të pastra. E ndërsa Basha e 'kurseu', Berisha nga ana tjetër nuk 'harroi' të sulmonte kreun e PD, duke e quajtur 'Lulzim Boshi' dhe tradhtar të demokracisë.
"Azem Hajdari shkallmoi dyert e mbyllura të lirisë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne mblidhemi sot në këtë shesh ku filloi revolucioni paqësor më i madh në historinë e kombit shqiptar, që do të sillte vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri dhe përmbysjen e diktaturës së egër të Enver Hoxhës. Azem Hajdari që i priu atij revolucioni, firmosën në historinë e Kombit njërën nga faqet më të ndritura të lirisë së tij. Lëvizja e dhjetorit 1990 ishte lëvizja e idealeve më të pastra njerëzore të studentëve shqiptar. Ishin këto ideale, kjo energji që do shtrohej në leksirin e vërtetë të përpjekjeve të PD në qeveri për të ndërtuar në Shqipëri rendin demokratik, ekonominë e tregut, për të hapur Shqipërinë për ta nxjerrë nga izolimi. 'E duam Shqipërinë si gjithë Europa', buçiste zemra e studentëve. Ata shikonin si të ardhme të kombit tonë Shqipërinë zonjë mes kombeve të zhvilluara të Europës. Në tre dekada, Shqipëria me gjithë kompleksitetin dhe vështirësitë, shënoi ndryshime në drejtimin e partisë demokratike, të qeverisë së saj sa asnjë vend tjetër në Europë dhe më gjerë. N këto 8 vite, PD, demokratët në mbarë Shqipërinë derdhën lumenj djerse, sakrificash të jashtëzakonshme, por mjerisht kaluan nga një humbje në humbjen tjetër. Jo për shkak të tyre, por krejtësisht për shkak të njeriut i cili pas 8 vitesh meriton të quhet se Lulzim Boshi apo peng kryetari. Në këto 8 vite, shqiptarët u larguan nga Shqipëria njësoj si në vitin 1991. Regjimi në pushtet vriste shpresën çdo minutë. Në 8 vite, PD pushoi së qenëri ajo që ishte. Drejtuesi i saj preu një nga një kolonat mbi të cilat ajo ishte ngritur, parimet dhe idealet mbi të cilat ajo qëndronte. Nëse sot themi se Edi Rama është armiku më i egër i pluralizmit, demokracisë, Lulzim Basha është tradhtari më i madh i tyre. Sot vijmë në këtë dhjetor, në një dhjetor të ri të idealeve më të larta, më të vendosur e kurrë të rithemelojmë partinë e Dhjetorit 1990, partinë e studentëve dhe të rinjve, partinë e lirisë së shqiptarëve. Më të vendosu se kurrë se ashtu siç përmbysëm 31 vite më parë diktaturën Hoxhiste, të përmbysim narko-shtetin e Ramës dhe pengun e tij Lulzim Basha. 11 dhjetori është ditë e madhe e atyre që e themelua PD. Ftoj të gjithë demokratët, delegatët e Kuvendit Kombëtar, ata që firmosën dhe ata që nuk firmosën, të vijën më 11 dhjetor në Kuvendin e rithemelimit të PD. Do i njohim shqiptarët me çdo delegat që ka firmosur e do firmosë rikthimin e PD e pluralizmit politik", tha Berisha.
Lajmi kryesor: