Grupi F kualifikues i Kupës së Botës 2026 për zonën UEFA mbylli ndeshjet e fundit. Portugalia zyrtarisht është në fazën finale të Kupës së Botës 2026, teksa për herë të gjashtë Cristiano Ronaldo (40 vjeç) do jetë pjesë e këtij turneu. Nga ana tjetër, Hungaria u turpërua në Budapest nga Irlanda dhe janë këta të fundit në play-off.
Në Porto, Portugalia fitoi 9-1 kundër Armenisë me Ronaldon të pezulluar pas kartonit të kuq të tre ditëve më parë. Zyrtarisht luzitanët janë pjesë e finaleve të Kupës së Botës, ndërsa golat u shënuan nga Neves dhe Fernandes me tripletë, Veiga, Ramos dhe Conceiçao.
Në Budapest, Hungaria u mposht 2-3 nga Irlanda dhe janë këta të fundit që e mbyllin grupin në vendin e dytë, e për rrjedhojë do jenë në zonën play-off. Për momentin Irlanda është në vazon e tretë të play-off, ndërsa Shqipëria në vazon e dytë. Më 19 nëntor do mësohet renditja e muajit në FIFA, ndërsa një ditë më pas do hidhet shorti për fazën play-off.
Komente





