Territori i Qarkut Lezhë vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje shiu, si dhe dëbore në lartësi mbi 700 m.
Më shqetësuese është çarja e argjinaturës së lumit Drojë në krahun e majtë të derdhjes, i cili sjell mbingarkesë në hidrovoret e Drojës dhe Shëllinzës, si dhe rritje të nivelit të ujit në tokat bujqësore në fshatrat e Adriatikut, Fushë Mamurrasit, si dhe fshatrat të njësisë administrative Fushë Kuqe. Si pasojë, dhjetëra familje vijojnë të jenë të izoluara prej katër ditësh, ndërsa niveli i ujit po rritet nga ora në orë.
Banorët shprehen se po përballen me vështirësi të shumta, pasi mungon mundësia e lëvizjes, ndërkohë që situata po rëndohet edhe për shkak të mungesës së bazës ushqimore për bagëtitë. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përkatëse për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.
Problem mbeten banesat në afërsi të rrugës Laç-Mamurras, në lagjen nr. 5 Sanxhak dhe fshatit Gjorm, ku janë të rrethuara nga uji 5-6 banesa. Në këtë zonë, një segment rruge prej 200-300 m është i mbuluar nga uji dhe vështirësohet kalimi.
Sot pritet ardhja e mjeteve të FA për të vazhduar punën për riparimin e aksit rrugor Gallatë Vinjollë, në njësinë administrative Milot.
Kuota e lumit Drin ka pasur një rritje me 6 centimetra dhe tani është në lartësinë 1.72 metra.
Në hidrocentralin Qafë Mollë kanë filluar shkarkimet me rreth 201 m³/s, por nuk paraqesin problematika.
Gjatë natës si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë, rrjedha e Fanit të Vogël ka vijuar gërryerjen e tokave bujqësore dhe ka dëmtuar dy shtylla të linjës elektrike në fshatin Kodër Rrëshen. Për ndërhyrjen emergjente dhe devijimin e rrjedhës së lumit kërkohet mbështetje me një eskavator me krah të gjatë dhe kamion të tonazhit të rëndë pasi bashkia Mirditë nuk disponon mjete të tilla. Do të vijojë puna për rehabilitim të rrugës në lagjen Preçaj, fshati Simon, si dhe në fshatin Kodër Rrëshen do të ndërhyhet për sistemimin e ujërave sipërfaqsorë pranë planit të rrëshqitjes ku rrezikohet një rrugë lagjjeje.
Në Lezhë raportohet se situata është më e qetë, grupet e punës do të vazhdojnë punën për ndërhyrje në zhbllokime pusetash, kanalesh, largim uji nga bodrumet e pallateve në Lezhë, si dhe largimin e ujit nga rruga Shëngjin Kune.
Në Lezhë, Mirditë e Kurbin procesi mësimor vijon normalisht.
Lajmi kryesor:
Moti i keq/ Viktima e parë, 54-vjeçari humb jetën në Durrës! Evakuime në Katund të Ri, Sukth dhe 3 fshatra të Fierit e Vlorës (VIDEO)










