Për herë të parë në historinë e Botërorëve pushimi mes dy pjesëve të finales iu dedikua ‘show-t’, që rezultoi një spektakël madhështor muzikor i frymëzuar nga tradita e Super Bowl-it Amerikan. Në stadiumin MetLife të Nju Jorkut, futbolli ia la vendin muzikës, me një skenë që u ngrit dhe u çmontua në fushë brenda pak minutash.
Shfaqjen e hapi Madonna, Mbretëresha e Popit, e cila bëri hyrjen e saj spektakolare në fushë, e shoqëruar nga dy ikona të futbollit botëror, Ronaldo dhe Ronaldinho, të cilët drejtonin një makinë të hapur të përshtatur për festat e verës. Këngëtarja amerikane zgjodhi një nga këngët e saj më të famshme, "Music", për të hapur performancën e saj.
Pastaj ishte radha e BTS, grupit të Koresë së Jugut që është simbol i muzikës globale, të cilët performuan në skenë hitin e tyre "Dynamite", i cili gjatë pandemisë është shndërruar në një mesazh energjie, shprese dhe pozitiviteti. Edhe Justin Bieber u shfaq, duke luajtur në një ndërthurje emocionesh argëtuese me Jason Sudeikis, aktorin që luan rolin e trajnerit të famshëm Ted Lasso në serialin televiziv. Bieber hyri në fushë” si një futbollist përpara se të performonte “Everything Hallelujah” me kitarën e tij.
Shfaqjen e mbylli Shakira, e cila këndoi "Dai Dai", këngën zyrtare të Kupës së Botës që solli një energji të pashtershme. Artistja kolumbiane e shndërroi stadiumin MetLife në një festë globale, duke mahnitur audiencën dhe tribunat.
Megjithatë kjo shfaqje nuk kaloi pa u kritikuar, pasi ndryshe nga çfarë kishte kërkuar FIFA zgjati 27 minuta e 20 sekonda ndërprerja mes dy pjesëve. Një thyerje e rregullave të futbollit, pasi nuk duhet të jetë më shumë se 15 minuta. Ky eksperiment nuk iu përmbajt logjikës së futbollit, por argëtimit të madh amerikan, duke e transformuar finalen e Kupës së Botës në një ngjarje të aftë për të bashkuar sportin, muzikën dhe spektaklin global.
Jo pak vëmendje në finale mori edhe presidenti i SHBA-ve Donald Trump, i cili qëndroi në një tribunë të stadiumit me xhama antiplumb. Më pas ai zbriti në fushë, teksa bashkë me Infantinon i dorëzuan Spanjës trofeun e Botërorit. Të dy në momentin që zbritën në fushë u vërshëllyen nga tifozët, ndërsa spanjollët më shumë e kishin me Infantinon. Sa herë që arbitri vërshëlleu në favor të Argjentinës ata brohorisnin me ironi ‘Infatino-Infantino’.
Për t’u veçuar që finalja e Botërorit nisi 90 minuta më herët me ceremoninë e zakonshme ku performuan Nicole Scherzinger, Robbie Ëilliams, Laura Pausini, por edhe ‘youtuberi’ i famshëm ‘IShowSpeed’
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.
Komente









