Kombëtarja shqiptare e futbollit do ta mbyllë 2025-ën me një ëndërr të madhe për vitin e ardhshëm: Kualifikimin në Botëror përmes ‘play-off-it’. Kuqezinjtë, të cilët marrin pjesë për herë të parë në këtë fazë, do të kenë përballë fillimisht Poloninë më 26 mars, në një ndeshje teke që do të luhet në Varshavë. Kundërshtari i kuqezinjve është favorit në letër, jo vetëm për shkak të kualiteteve, por edhe historia që shpesh e ka parë të jetë pjesë e Botëroreve.
Kapiteni Robert Lewandowski, e vlerëson Shqipërinë si një kundërshtar që nuk duhet neglizhuar.
“Kemi një kundërshtar të vështirë para. Nuk do të jetë e lehtë, por të luash kundër Shqipërisë në shtëpinë tënde, një shtysë e madhe do të jenë tifozët,”-u shpreh Lewandowski.
Lewandowski në një moment ishte shumë pranë largimit nga kombëtarja për shkak se trajneri i mëparshëm i hoqi shiritin. Megjithatë ajo periudhë është lënë pas dhe Leëandoëski kërkon të mos humbë mundësinë për të qenë në Amerikë, Kanada dhe Meksikë.
Fituesi i çiftit Poloni-Shqipëri në finalen për një biletë botërori më 31 mars do të përballet me fituesin e Ukrainë-Suedi. Për kuqezinjtë ka ende shumë pikëpyetje deri në mbërritjen te këto përballje, pasi situata mund të ndryshojë shumë deri në mars. Shpresat e tifozëve, por edhe të drejtuesve të federatës, janë te dy lojtarë të cilët kanë luajtur me moshat e Gjermanisë, por ende s’kanë debutuar me ekipin e parë.
Brajan Gruda dhe Nelson Ëiper. Njëri sulmues krahu dhe tjetri qendërsulmues, të cilët presin ende që Nagelsman t’i marrë te ‘panzerat’. Por në mungesë të një ftesë Shqipëria e Sylvinho-s do të ishte alternativë. Më herët, por edhe në këtë periudhë palët po mbajnë kontakte, me qëllim shtimin e mundësive për trajnerin brazilian të kuqezinjve.
Për t’u përmendur që në 2025 kombëtarja pati një largim. Adrian Bajrami la Shqipërinë për t’u bashkuar me Zvicrën ku edhe mori minutat e para.
Komente








