Mbrojtësja e kombëtares shqiptare po përgatitet për një ndeshje "play-off" në qytetin e saj të lindjes dhe ëndërron ta çojë Shqipërinë në Botërorin për vajza.

Alma Hilaj është një futbollistë polivalente. Ajo ka lindur në Shkodër në vitin 2000, i njëjti qytet nga është edhe trajneri i saj në kombëtare, Armir Grima, dhe ku do të luhet ndeshja e parë e gjysmëfinales së "play-off"-it kualifikues për Kupën e Botës "Brazil 2027" kundër Uellsit.

Hilaj luan rregullisht si qendërmbrojtëse për Shqipërinë, ndërsa në nivel klubesh, me skuadrën e Genoa-s në Serie B Femminile, luan në mesfushë, pikërisht para mbrojtjes, duke pasur lirinë për të diktuar lojën dhe për të pasur më shumë kontakt me topin. Shkathtësia e Hilajt për të luajtur në pozicione të ndryshme i mundëson asaj ta shohë lojën nga këndvështrime të gjëra. Megjithatë ajo ka një vizion të qartë se çfarë dëshiron të arrijë.

Kjo përfshin rikthimin e Genoa-s në Serie A për femra dhe marrjen e maksimumit kundër Uellsit në përballjen e "play-off"-it për "Brazil 2027". Ndeshja e parë do të luhet në Shqipëri më 9 tetor në stadiumin "Loro Boriçi", në qytetin e lindjes së Hilajt, ndërsa ndeshja e kthimit do të zhvillohet në qytetin e Llanellit në Uells më 13 tetor. Fituesja do të përballet me fituesin e çiftit Norvegji - Rumani, në finalen e "play-off"-it me dy ndeshje që do të jetë në dhjetor.

Uellsi hyn në këtë përballje si favorit, pasi e ka mundur Shqipërinë me rezultatet 4-0 dhe 1-0 në fazën kualifikuese të Grupit B1 këtë vit. Në prag të këtyre dy ndeshjeve, Hilaj u intervistua nga FIFA-n, duke prekur ëndrrën e saj për ta çuar Shqipërinë në Kupën e Botës për Femra për herë të parë si dhe për karrierën në futbollin italian.

Cili është mentaliteti me të cilin do të hyni në fushë në "play-off" kundër Uellsit?

“Është një arritje e madhe për ne që jemi këtu. Jemi të lumtura që jemi pjesë e kualifikueseve dhe nuk e kemi arritur kurrë më parë këtë fazë, ndaj tani thjesht duhet ta shijojmë këtë rrugëtim me qetësi dhe lumturi. E kemi arritur objektivin tonë minimal dhe tani na mbetet të japim maksimumin në këto dy ndeshje,”-u shpreh fillimisht Alma.

Keni mundur Malin e Zi dhe keni barazuar me Republikën Çeke gjatë kualifikueseve. Cila ishte pika juaj më e fortë në kualifikuese?

“Jemi një grup vërtet i mirë. Luajmë së bashku prej disa vitesh dhe e njohim shumë mirë njëra-tjetrën. Kemi cilësi të shkëlqyera pavarësisht disa dobësive. Luajtëm futboll të shkëlqyer në ato dy ndeshje, veçanërisht kundër Malit të Zi. Mund të kishim bërë pak më shumë kundër Republikës Çeke sepse sigurisht nuk na mungon cilësia, por ka edhe sfida kur nuk arrin të shfaqësh nivelin tënd më të mirë. Në përgjithësi jemi një ekip më i fortë se Mali i Zi, gjë që sigurisht na ndihmon,”-tha ajo.

Jeni përballur tashmë dy herë me Uellsin në kualifikueset e Europianit dhe keni humbur në të dyja rastet. Çfarë mësime keni nxjerrë nga ato përballje?

“Ka një ndryshim të madh mes nesh dhe atyre, si në nivel kombëtareje ashtu edhe si grup. Si në letër, ashtu edhe në fushë, ata kanë treguar se janë më të fortë. Ndeshja e parë në Uells shkoi keq për ne. Ishte disi katastrofike, por në të dytën bëmë më mirë. Është e vërtetë që humbëm edhe atë, por na mungonin disa lojtare për shkak të dëmtimeve dhe arsyeve të tjera. Mund të kishim bërë më shumë nëse do të ishim me formacion të plotë.

Uellsi është një ekip i fortë dhe është përmirësuar ndjeshëm ndër vite. Kur pamë shortin nuk dinim çfarë të prisnim, pasi kishte edhe ekipe të tjera të forta si Portugalia. Megjithatë, mendoj se fakti që jemi përballur tashmë me ta dhe e kemi testuar veten kundër tyre është në favorin tone,”-tha Hilaj.

Si do ta përshkruanit marrëdhënien tuaj me trajnerin Armir Grimaj, i cili drejton kombëtaren e femrave që nga viti 2016?

“Njihemi prej shumë vitesh. Për sa i përket futbollit ai është ndoshta personi që më njeh më së miri, që kur isha 16 vjeçe. Gjithashtu, jemi nga i njëjti qytet. Ai gjithmonë ka pasur shumë besim te grupi dhe te unë në veçanti. Madje edhe në periudhat kur nuk luaja aq shumë për klubin tim ose kur gjërat nuk po shkonin veçanërisht mirë për mua. Ai gjithmonë ka besuar te unë. Ajo mbështetje na ka ndihmuar të gjithëve të rritemi. Ai na njeh të gjithave prej kohësh dhe di si ta menaxhojë grupin në mënyrën më të mirë të mundshme,”-tha ajo.

 Shqipëria nuk është kualifikuar kurrë në Kupën e Botës për femra. Çfarë do të thoshte arritja atje për ekipin dhe vendin në tërësi?

“Do të ishte një ëndërr e bërë realitet. Kualifikimi në Kupën e Botës përfaqëson kulmin e karrierës së çdo lojtareje. Për federatën tonë, arritja e këtij objektivi, do t'i mundësonte gjithë sportit të hidhte një hap përpara. E kemi parë këtë me rritjen e futbollit të femrave në nivel global pas edicioneve të fundit në Kupën e Botës dhe kjo është vënë re edhe te kombëtarja italiane. Kemi ende shumë hapësirë ​​për t'u përmirësuar. Jemi një komb i vogël në futboll me shumë punë për të bërë, por një arritje e tillë do të ishte transformuese,”-tha Alma.

Ti luan në Itali prej disa vitesh. Si ka kontribuar futbolli italian në zhvillimin tënd si lojtare?

“Nuk mendoja shumë për këtë kur isha 16 vjeçe. E shtyrë nga pasioni që kam pasur që në fëmijëri, thjesht doja të vija këtu dhe të jepja maksimumin. Kam mësuar shumë nga trajnerët dhe shoqet e ndryshme të skuadrës,”-tha Hilaj.

Ti luan në mesfushë për Genoan, ndërsa me Shqipërinë shpesh aktivizohesh në mbrojtje. Cilat cilësi të ndihmojnë të japësh maksimumin në këto pozicione?

“E kam nisur si qendërmbrojtëse dhe ky është pozicioni ku luaj rregullisht me kombëtaren, përveç ndonjë rasti të rrallë kur kam luajtur si mesfushore me detyra mbrojtëse. Kur erdha në Itali kalova më përpara në mesfushë, duke luajtur shpesh si mesfushore mbrojtëse. Nuk ka ndonjë ndryshim të madh mes dy pozicioneve për sa i përket ndërtimit të lojës, por hapësirat dhe koha e veprimit ndryshojnë në mesfushë pasi e prek më shpesh topin, gjë që më pëlqen shumë,”-tha ajo.

Së fundmi, si do ta përshkruaje Genoan këtë sezon dhe cilat janë objektivat tuaja si ekip?

“Objektivi ynë është shumë i qartë dhe nuk e fshehim: duam ta fitojmë kampionatin dhe të rikthehemi në Serie A për femra. Edhe pse kishim një ekip shumë të mirë vitin e kaluar, hasëm disa vështirësi gjatë rrugës. Grupi është i bashkuar dhe i fortë këtë vit, dhe ne synojmë sa më lart të jetë e mundur,”-përfundoi Alma.