Banorët e Rrjollit kanë thirrur sot në orën 10.00 protestë kombëtare, pasi kantieri ku botuesi pranë familjes Berisha, Bashkim Ulaj po ndërton resortin, u rrethua me tela dhe mure të larta.

Resorti që po bëhet nga kompania Gener 2 shtrihet në një sipërfaqe prej 147.2 hektarësh është kundërshtuar me forcë nga banorët e zonës, për shkak të problemeve me pronësinë e tokës. Punimet ka nisur që në shkurt, por ditët e fundit është vërejtur “fortifikimi” me mure të larta.

Kjo masë mbrojtëse duket se është marrë pas protestave të vazhdueshme të banorëve të Rrjollit, të cilët pretendojnë se tokat e tyre janë grabitur me dokumente false nga ish-zyrtar i cili më pas ia ka shitur kompanisë ndërtuese.

Një ditë më parë, gjatë protestës për Zvërnecin një kryeqytet, një prej qytetarëve i ftoi të gjithë të ishin të pranishëm për të hequr gardhin në Rrjoll.

“Gardhin që e hoqën në Zvërnec e keni marrë vesh që e kanë vendosur në Rrjoll. Një grup qytetarësh nesër do të bëjnë protestë në Rrjoll, ai që ka mundësinë t’i bashkohet për të hequr gardhin dhe në 18:00 të jemi sërish këtu, për të hequr kryeministrin", tha protestuesi Edison Likaj.

Ndërsa organizatori i protestës për Rrjollin, Prek Molla, u shpreh i bindur që do të ketë pjesëmarrje të lartë dhe gardhi do të hiqet.

“Do të vijnë shumë njerëz nga e gjithë Shqipëria për t’i dalë në ndihmë rrjollorëve, pasi u bë dhe gardhi si në Zvërnec. Atje e hoqën gardhin në vend që në Rrjoll të hiqen telat me gjemba, atje i vunë. Ditën e shtunë besoj se ai mur, ai burg do të shembet. Ata po punojnë, nuk e kuptoj pse, por janë të lidhur me qeverinë”, tha Molla.

Lajm në përditësim...