TIRANE- Deputeti i PS-së Erjon Braçe ka reaguar menjëherë pas një interviste të ish-kryeministrit dhe deputetit socialist Pandeli Majko në lidhje me rivlerësimin e figurës së ish-mbretit Ahmet Zogu.

 Teksa ka marrë me detaje deklarimin e Majkos, sipas të cilit ikja e Ahmet Zogut nga Shqipëria s'ishte një akt tradhëtie por një akt juridik që tregoi para botës së Shqipëria ishte pushtuar nga Italia fashiste,  Braçe ka lëshuar akuza të forta në drejtim të figurës së ish-mbretit Zog, duke e cilësuar atë një tradhëtar, vrasës dhe hajdut të arkës së shtetit. Madje Braçe s'ka munguar të përsërisë deklaratën e tij të kahershme, që është tepër e vështirë të jetosh dhe kontribuosh si i majtë në këtë vend. "Ahmet Zogu e ka tradhëtuar atdheun???! Po çfarë i bëri Atdheut, Zogu? E shiti? Pooo! I vrau djemtë më të mirë, burra që dhe sot ndriçojnë në altarin e heronjve të këtij vendi? Poo! Rrëmbeu çdo gjë, pasuri dhe mjete monetare? Poo! Themeloi "Monarkinë", e ktheu në një pushtet gjakatar, abuziv, varfërues, prapambajtës? Poo! Po atëherë?", deklaroi Braçe në profilin e tij në rrjetin social Facebook me të cilën i është përgjigjur në mënyrë të drejtëpërdrejtë ish-kryeministrit Majko për vlerësimin e tij të figurës së Ahmet Zogut.

Njëherësh Braçe s'mungon të rikujtojë se "Ju pata thënë, është bërë tejet e vështirë, të jetosh e militosh si i majtë!! Zotni Gurakuqi, Zotni Prishtina, Zotni Rustemi, Imzot Noli, e kam detyrim ta luftoj rivlerësimin e Monarkisë dhe në emrin tuaj!!".

Deklarata e Majkos për figurën e Ahmet Zogut, teksa e cilëson braktisjen e vendit më 7 prill 1939 një akt juridik e jo akt tradhëtie, s'ka kaluar pa debat, më shumë me tonë ironike dhe në mbledhjen e grupit parlamentar të PS e ditën e djeshme.

Debatet e djeshme në grupin PS mund ti lexoni në  gazeten Shqiptarja.com

(jm/sg/shqiptarja.com)