Deputeti i PS Erion Braçe, ka depozituar një kërkesë zyrtare për zhvillimin e një seance pyetje-përgjigje me Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, lidhur me mbylljen dhe mosfunksionimin e Qendrës Shëndetësore në rrugën “Irfan Tomini”, Njësia Administrative nr. 5, në Tiranë.
Në kërkesën drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, deputeti Braçe kërkon shpjegime për arsyet pse kjo qendër shëndetësore nuk është në funksion të plotë dhe për planet e ministrisë për rikthimin sa më parë të shërbimit shëndetësor pranë qytetarëve të zonës.
Po ashtu, në kërkesë kërkohen të dhëna të detajuara mbi numrin e qytetarëve që merrnin shërbim shëndetësor në këtë qendër para mbylljes, të ndarë sipas grupmoshave, si dhe sa qytetarë kanë mbetur pa shërbim shëndetësor që prej muajit gusht 2025, kur qendra u mbyll.
Kërkesa e Erion Braçes drejtuar Niko Peleshit:
KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË KRYETARIT Z. NIKO PELESHI.
I nderuar z. Kryetar/ Në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 90 dhe 95 të Rregullores së Kuvendit, kërkoj zhvillimin e një seance pyetje-përgjigje me Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Evis Sala, për sa më poshtë vijon:
Përse nuk është në funksion të plotë dhe shërbim të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore Qendra Shëndetësore në rrugën Irfan Tomini, Njësia Administrative nr. 5, Tiranë dhe cilat janë planet tuaja për ta rikthyer sa më parë pranë qytetarëve të kësaj zone?
Sa qytetarë ndarë sipas grupmoshave merrnin shërbim shëndetësor në këtë qendër para se ajo të mbyllej dhe sa qytetarë ndarë sipas grupmoshave nuk kanë marrë shërbim shëndetësor prej muajit gusht 2025 kur kjo qendër është mbyllur?
Komente









