Skema e mbështetëse për bujqësinë/ Braçe: Është mbytëse dhe burokratike! Ministrja e Bujqësisë: Kanë përfituar 30 mijë fermerë

Skema Kombëtare e Mbështetjes në bujqësi për vitin 2022 ishte në qendër të interpelancës ndërmjet deputetit socialist Erion Braçe dhe ministres së Bujqësisë Frida Krifca. Deputeti socialist i kërkoi ministres të dhëna në lidhje me pagesat dhe ndihmën që po u jep ministria ekonomive bujqësore, në një kohë kur kostoja e prodhimit të fermerëve është rritur ndjeshëm.

Në përgjigjen e saj ministrja Krifca tha se deri tani janë 30 mijë fermerë përfitues që kanë përthithur 21 milion dollarë në mbështetje të drejtpërdrejtë e në mënyrë direkte nga kjo skemë.

Por për deputetin e Partisë Socialiste, skema është mbytëse, nuk ka parë, e ngadaltë dhe shumë burokratike, komplet jashtë funksionit të bujkut. Sipas Braçes fermerët kanë aplikuar 22 ditë rresht për naftë dhe nuk është miratuar asnjë aplikim.

Ministrja tha se fondet përthithet deri në fund të vitit kur edhe bëhet analizat, ndërsa u shpreh se duhet edhe më shumë buxhet, por fakt është sipas saj që ky vit ka buxhetin më të lartë të vënë në dispozicion.

Në fjalën e tij Erion Braçe denoncoi me emra edhe grumbulluesit e shalqirit, të cilët i quajti kartel i grumbulluesve, ndërsa i akuzoi se po e mbledhin shalqinin me 8-9 lekë dhe po e shesin me një çmim 3-4 herë më të madh.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:23
Braçe denoncon me emra grumbulluesit e shalqirit: Janë një kartel i ndyrë, po shesin 3-4 herë më shumë

 

Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe ka denoncuar me emra ato që ai quan si kartel i grumbulluesve të shalqinjëve. Braçe tha se ato e mbledhin shalqirin me 8-9 lekë dhe e shesin shumë më shtrenjtë.

'

“Heshtja për një kulturë aq masive sa ç’është shalqini dhe që po zë një peshë shumë të rëndësishme të të gjithë eksportit nga Shqipëria në të gjithë Europën është e papranueshme. Kam monitoruar të dielën deri të martën që ishin ditët e krizës së shalqinit. Sot është dita e të vërtetës, pas një deklarate të gjatë të grumbulluesve që po i dilnin për zot dhe po i shpëtonin jetën bujqërve dhe që unë po ua shkatërroja e kështu me radhë.

 “Tomato Al ka shitur ditën e dielë me 23.8 lekë. Të gjithë ata që na dëgjojnë e dinë që të dielën është mbledhur shalqini vetëm me 9 deri në 10 lekë. Romir Shpk është më interesanti, ka shitur të dielën 220 tonë shalqi në Kosovë, e ka mbuluar me shalqi. Me 15.5 lekë. LB Fruits 2006, ka shitur në Hungari me 40 lekë. U vjen gjynah këtyre njerëzve që bujqve shkojnë ua marrin me 8-9 lekë për kg dhe për vete e shesin 40 lekë për kg. Fraeno e ka mbledhur në Kosovë me 12 cent dhe 14 cent në Bosnje, ndërkohë që e ka blerë me 8 lekë. Doni Fruits ia shet vetes njëherë me 12 cent, njëherë me 11 cent”.

Këta janë pjesë e një karteli që po bëjnë një lojë të ndyrë pa fund në kurriz të bujqve të Divjakës dhe Lushnjes. Këta nuk grumbullojnë për 5-6 ditë me radhë dhe e bëjnë që çmimi të bjerë poshtë. Po këta eksportojnë me çmime qesharake me çmimet që do ti dëgjoni se cilat janë çmimet me të cilin e shesin në Europë.

Doni Fruit ka shitur të hënën me 26.18 lekë në Zvicër. Ka shitur në Kosovë me 13 cent, ia shiti vetes. Fraeno shet në Bosnje me 15 cent dhe në Slloveni me 22 cent. Është Besim Thaçi që shet në Kosovë me 15 cent, Agro Con në Vilnius me 19 cent. Gazmir Kavaja shet me 7 cent. Po si i del që e grumbullon me 7 lekë dhe e shet me 7 cent? Kjo është loja. Gazmir Kavaja shet në Hollandë me 18 cent. Nga 7 cent e shet me 18 cent. Tani po shesin në Europë me 4 herë më shumë nga sa e grumbullojnë.  Ky është shqetësimi që unë kam, prandaj bërtas”.- tha Braçe.

Ora 14:02
Ministrja e Bujqësisë: Fondi prej 3.7 miliardë lekë më i madhi ndonjëherë! Deri tani kanë përfituar 30 mijë fermerë, aplikimet vazhdojnë deri në fund të vitit.

Në interpelancën parlamentare të ditës së sotme lidhur me Skemën Kombëtare të Mbështetjes në bujqësi për vitin 2022, ministrja e bujqësisë dhe zhvillimit rural, Frida Krifca, ka treguar shifrat e deritanishme të aplikimeve dhe përfituesve nga sektorët e bujqësisë, blegtorisë, serat diellore, bimët medicinale, bletari dhe peshkim.

Sipas ministres Krifca “Skema Kombëtare e Mbështetetjes” përbëhet nga 13 masa të ndryshme në bujqësi, ku masa e mbështetjes me naftë ka fondin më të lartë të alokuar me 14.5 milion dollarë. Për skemën e naftës kanë aplikuar 49,654 fermerë nga të cilët aktualisht kanë përfituar naftë 26.000 fermerë, apo thënë ndryshe janë shpërndarë rreth 6 milionë litra naftë që kanë mbështetur në total prodhimin në 90 mijë ha tokë, nga e cila mbi 27 mijë ha të mbjellë me misër, 16 mijë ha të mbjellë me grurë, dhe po kaq bimë foragjere.

Ministrja Krifca gjithashtu tregoi shifrat e deritanishme të përfitimit së masave të tjera mbështetëse. Sipas saj bilanci i deritanishëm i përthithjes së Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi dhe Blegtori për vitin 2022 tregon se deri tani është injektuar në 3 muaj buxheti i vënë në dispozicion ndaj fermerëve për të gjithë vitin e kaluar.

Deri më sot 30 mijë fermerë përfitues kanë përthithur 21 milion dollarë në mbështetje të drejtpërdrejtë e në mënyrë direkte nga kjo skemë. Dhe llogaritet që indirekt skema prek trefishin e numrit të fermerëve.

Ndërkohe skema vazhdon përthithjen dhe disbursimin deri në 31 Dhjetor të ketij viti, datë kur mund të bëhet një bilanc përfundimtar.

Ora 13:57
Ministrja replikë me Braçen: Bujqësia në vend-numëro? Lajm i rremë thellësisht i pavërtetë, i dëmshëm për mobilizimin kombëtar

 

Ministrja e Bujqësisë thotë se bujqësia shqiptare po qëndron në konsistencë duke siguruar edhe rritje. Ministrja Frida Krifca tha se deklaratat e opozitës se bujqësia është në vendnumëro, janë lajme të rrema dhe të dëmshme për mobilizimin kombëtar.

‘Impakti i luftës në Ukrainë ndikon në koston e prodhimit të fermerëve tanë. Kemi marrë masa për menaxhimin e një situatë që nuk e dimë si do të shkojë. Më duhet të qëndroj kundër diskursit politik të opozitës mbi performancën e bujqësisë shqiptare. Zaptimi i zyrave të bujqësisë për të bërë diversion politik është akt i dënueshëm që bujqësinë nuk e ndihmon. Deklarata që bujqësia është në vend numëro, është në pikiatë, është një lajm i rremë thellësisht i pavërtetë dhe i dëmshëm për mobilizimin kombëtar. Kjo nuk ndihmon por minon sigurinë ushqimore në vend. Në një situatë të paprecedentë që prek zinxhirin ndërkombëtar transportues Bujqësia Shqiptare po qëndron në konsistencë duke siguruar edhe rritje. Kemi një rritje pre 3% të prodhimeve bujqësore.'- tha Krifca.

Ora 13:53
Braçe-ministres së Bujqësisë: Keni bërë bujkun punëtor bujqësor, jo zot të prodhimit të vet

Deputeti Erion Braçe ka thirrur një  interpelancë me ministren e Bujqësisë Frida Krifca për problemet e fermerëve.

‘Edhe pse bujku ka tokë nuk ka në mjete as kostot as çmimet e prodhimit. E kanë bërë një punëtor bujqësor, por jo zot të prodhimit të vet. Qiraja e tokës është shtrenjtuar, çmimi i naftës është shtrenjtuar, plehrat kimike janë shtrenjtuar, me një treg të kapur, plasamas hekur, tuba, sisteme ujitje të gjitha të shtrenjtuar, por edhe plehra kimike. Të gjitha janë rritur. Po bujku ynë? Bujku ynë ka dhe disaanvatazh tjetër prodhon, plugon, mbjell, vjelje dhe korr me paratë e veta. Të një cikli më parë prodhimi dhe paratë e emigrimit të sjella nga djem dhe vajza. Bankat serioze nuk financojnë prodhimin. Institucionet jo banka kreditojnë edhe prodhimin, por intersi nis me 39%, për kredi të shpejta të cilat i nevojten bujkut për të financuar të gjitha ato projekte pune. Masat buxhetore marrin një rëndësi jetike, tashmë edhe nën goditjen e çmimeve të lëndëve të para, abuzimit me çmimet. Ku jemi me pagesat dhe sa ndihmën po u japim ekonomive bujqësore. Çmimet e prodhimit janë thuajse në trendin e një viti me parë. Kemi ndjekur që nga janari çmimet  produkteve bujqësore, kanë rënë.’- tha Braçe.

Braçe tha se skema e bujqësisë është mbytëse, nuk ka para dhe e burokratike.

'Skema është mbytëse, nuk ka para, dhe është e ngadaltë burokratike, dhe jashtë funksionit të bujkut. 22 ditë rresht aplikim për naftën, nuk kanë miratuar asnjë aplikim. Jugu i vendit ka miratuar 8901 aplikime 101 presin për miratim.  Mbështetja për farat e imputet bujqësore. Janë 430 mln lekë, deri tani janë pranuar 160 aplikime, por me këto numra nuk mjaftojë paratë për t’i financuar të gjithë.'- tha Braçe.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • vladimir: 07/07/2022 19:40

    Deputet sikur jane ne parlament per te hartuar nisma ligjore per mbikyrjen e duhur te tregjeve, dhe ne nderhyrjen per parandalim te abuzimeve, apo jo????

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen