Greqia është paralizuar nga protestat e fermerëve të cilët kanë bllokuar akset kombëtare për vonesat me dhënien e subvencioneve të BE-së pas një skandali korrupsioni.

Përmes një njoftimi nga Policia kufitare bëhet me dije se edhe sot aksi Kakavijë-Janinë, në fshatin Kallpaq do të jetë i bllokuar nga ora 15:00-20:00 (me orën shqiptare).

Policia kufitare e Kakavijës njofton qytetarët të marrin masa dhe të planifikojnë oraret e udhëtimit. Të vetme automjete që do të lejohen të kalojnë do të jenë vetëm ato që do të kenë emergjenca shëndetësore.

"Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 16:00 deri në orën 21:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë-Janinë, në fshatin Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët.

Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore. Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës", njoftoi sot policia.

Fermerët grekë, kanë vendosur të vijojnë protestën deri më 5 dhjetor dhe të mbajnë të bllokuara akse të rëndësishme rrugore, porte dhe pika doganore.

Bllokadat ekzistuese në rrugët kombëtare të Greqisë dhe në dogana po forcohen. Fermerët do të vazhdojnë të qëndrojnë në rrugë, duke forcuar bllokadat ekzistuese pas një vendimi të marrë në takimet e djeshme të mbajtura në të gjithë Greqinë raporton to vima.

Sot priten të mbërrijnë më shumë traktorë në bllokadën e Nisës, duke çuar numrin total në mbi 1.000. Në të njëjtën kohë, mbi 1.500 traktorë ndodhen në bllokadën në autostradën E65. Gjithashtu, të marten organizatorët kërkuan që të forcohet bllokada në Malgara, ndërsa në doganën në kufirin Greqi–Maqedoni e Veriut, rruga është e bllokuar nga fermerët dhe blegtorët e Paionias.

Fermerët janë të vendosur të vazhdojnë dhe të intensifikojnë protestat e tyre nëse kërkesat nuk u plotësohen nga qeveria. Fermerët dhe blegtorët planifikojnë të “mbyllin” doganën e Promahonës, në kufirin Greqi–Bullgari, të enjten. Të shtunën do të krijohet një bllokadë e re në Siatistë nga fermerët e Kozanit, Grevenës, Kosturit dhe të gjithë qyteteve e fshatrave të zonave përreth.

Javën e ardhshme, nëse qeveria nuk ndryshon qëndrim, ata do të bllokojnë portin e Volosit, si dhe portin e Selanikut. Mijëra fermerë që ndodheshin në rrugë e kaluan natën mes të hënës dhe të martës në rrugë.

Në mes të protestave bujqësore, qeveria u angazhua të përfundojë pagesat e subvencioneve për fermerët brenda këtij muaji, duke deklaruar se është gati të takohet me ta në çdo moment.

“Dera jonë mbetet e hapur,” tha ndër të tjera zëvendëskryeministri Kostis Hatzidakis në një reagim publik.