Braçe: Nëse Kushtetuesja rrëzon
Vettingun protesta para gjykatësRemzi Hoxha, Braçe: Berisha pranoi krimin

Braçe: Nëse Kushtetuesja rrëzon<br />Vettingun protesta para gjykatësRemzi Hoxha, Braçe: Berisha pranoi krimin
Deputeti Socialist Erjon Braçe ka deklaruar në emisionin "45 minuta" të gazetarit Denis Minga në Report TV se mesazhi kriminal i dhënë nga Berisha për 21 janarin synon të godasë vetëm reformën në drejtësi.
 
Sipas Braçes, me atë mesazh Berisha u tha prokurorëve dhe gjykatësve të tij që janë ende në sistem se, edhe pse vrau, atë s'e prek asgjë, ndaj dhe ata duhet t'i rezistojnë reformës.
 
Duke folur për ligjin e Vettingut Braçe tha se nëse Gjykata Kushtetuese e rrëzon ligjin atëherë duhet të ketë protesta masive qytetaresh para kësaj gjykate.
 
Deputeti socialist i bëri thirrje prokurorisë që të hetojë Sali Berishën për vrasjet e 21 janarit pas dëshmisë së fundit të tij.
 
Për Braçen, Berisha me intervistën e fundit ka pranuar dhe krimin e SHIK për zhdukjen e Remzi Hoxhës për të cilën duhet të hetohet. 

Berisha tha se nuk do nguronte të vriste edhe Ramën nëse do vijonte rezistenca në 21 janar, ju sot në reagimin tuaj keni sulmuar prokurorinë apo i keni bërë thirrje për veprim?
Kam përshtypjen se deklarata e djeshme e Berishën në cilësinë e ish-kryeministrit është konfirmimi i një krimi të kryer në mes të Tiranës. Kjo duhet të verë në lëvizje të gjitha institucionet. Nuk është hera e parë që Berisha flet për krimet, por dje ka sfiduar Shqipërinë dhe i ka bërë rezistencë Prokurorisë. Të thuash në TV se unë kam vrarë dhe të pohosh se një vrasje që ka mbetur në tentativë, duke shprehur shprehje tipike të mafiozëve italianë është shumë e rëndë. Konfirmimi i drejtë i një vrasje të kryer në mes të Tiranës. Gjykata i ka cilësuar pushkatimet pa gjyq në bulevard si vrasje nga pakujdesia, e rrëfimi i djeshëm i Berishës tregon që ato vrasje ishin të planifikuara. Këtu marrin përgjigje të gjithë ata që kanë pranuar alibinë e Berishës se njerëzit u vranë se i çoi PS.

Ju a e dinit skenarin, a kishit informacion se mund të qëllohej?
Unë kam qenë në mes të bulevardit që ishte plot me qytetarë. Ata ishin në besën time. Unë Marko Bello dhe Felaj kishim marrë përsipër sigurinë e jetës së tyre dhe kemi ikur kur i fundit qytetar i Berarit është larguar. Kemi qenë të gjithë prezent së bashku me Ramën. Kemi marrë një njoftim nga dikush që ishte rastësisht me mua, një njeri i shtetit dhe ai më vuri në dijeni duke parë vetëm degët e pemëve. Ai më tha të largohemi por u larguam pasi ikën të gjithë.

Kush ishte ky njeri?
Ai ishte një oficer. Kuptoi situatën e vështirë, nga degët e pemëve kuptoi që po gjuhej me fishekë të vërtëtë. Në atë moment nuk u larguam për në shtëpi, por larguam njerëzit dhe unë jam larguar për në spital në ndjekje të një burri nga Berati që mori plumb ndërsa ishte afër në tavolinë me Hekuran Dedën. Ai është operuar atë natë në spital.

Gjykoni që edhe Ramën e kanë njoftuar për rrezikun?
Askush nga ne nuk dinte se Berisha do pushkatonte njerëz me 21 janar. 

Kanë kaluar gati 5 vite, e keni një ide pse shteti qëlloi ndaj protestuesve për t’i zbrapsur, për t’i trembur apo u kap nga paniku?
Sali Berisha e thotë vazhdimisht përse e bëri. Ai dje ishte shumë i qartë. Arsyeja e një krimineli që pasi ka vrarë kërkon të ndërtojë alibinë e tij. Ai ka dhënë disa versione. Nuk qëlluam tha fillimisht, pasi doli videoja foli për thika me helm dhe pastaj doli kjo për faktin se Rama donte të mbante fjalim nga kryeministria. 

Çfarë plani kishit ju me 21 janar?
Protesta kishte qëllim vetëm protestën. Gjatë gjithë protestëskanë qenë deputetët që janë munduar të qetësojnë njerëzit dhe tu dalin zot. Ka pasur një mori deputetësh që sipas grupeve kanë komunikuar me njerëzit për të ndaluar çdo agravim të situatës. Ne e kishim një tribunë që është parlamenti dhe nuk kishim nevojë të flisnim diku tjetër.
Njerëzit janë vrarë në një distancë gati 30 metra nga kryeministria, në bulevard jo në kryeministri. Sipas asaj që thotë Berisha njerëzit janë vrarë me paramendim. Këto janë rrethana të reja të krimit. Ai ishte një pushkatim. Që nga dje kam parë shpërthim të militantëve të PD, nuk e duam Lulin, duam Berishën se ky u del zot vrasjeve. Ky është krimi i një njeriu me pushtet, ata njerëz i vrau pushteti. Sali Berisha nuk është thirrur asnjëherë në Prokurori, Basha , ish-ministër i brendshëm nuk është thirrur asnjëherë në prokurori. 

Çfarë mund të ndryshojë tani e tutje, do rihapet çështja?
Dëshmia e djeshme e Berishës është një rrethanë e re. Sistemi i cili është manipuluar nga punonjës të kryeministrisë duhet të rishikohet. Çështja nuk është e mbyllur. Vrasja e Aleks Nikës po hetohet ende, sepse është një vrasje pa autor. Kur një çështje është e hapur prokuroria duhet të bëjë detyrën dhe ta thërrasë me qëllim hetimin e vrasjes së Aleks Nikës dhe 3 të tjerëve.

Kjo prokurori apo prokuroria e re që do të ngrihet pas reformës në drejtësi?
Nëse ka institucion prokuroria duhet të bënte veprimin e parë sot. Sot duhet të merrej dëshmia e parë. Vrasjet janë të dukshme , zhdukja e provave është një krim i dytë në funksion të të parit dhe pohimi nga Berisha për një vrasje të re që ka mbetur në tentativë duhet hetuar. Çështjet që nuk kanë vendim nuk mbyllen kurrë. 

Deklaratat e djeshme ishin të kalkuluara dhe sipas jush cili ishte qëllimi i Berishës?
Është sfidë ndaj shoqërisë. Ajo që u tha nga Berisha pikërisht dje që u zbardh vendimi i Venecias dhe mendoj se mesazhi është në favor të prokurorëve dhe gjykatave që i kanë dhënë Berishës paprekshmërinë. Ai u thotë atyre që unë edhe pse vrava nuk më prek asgjë. Ai u dha suport të drejtpërdrejtë prokurorëve dhe gjykatësve të tij që janë ende në sistem dhe e mbështesin atë, por nga ana tjetër dha mesazh edhe për militantët e PD. 

A mund të bënte më tepër mazhoranca për 21 janarin?
Ju e patë edhe dje që komisionet hetimore nuk kanë vlerë në këtë vend, veçanërisht kur hetojnë krime nga qeveria e shkuar. Besoj fort te reforma në drejtësi, te një sistem i pavarur nga politika e që bën drejtësi sipas normave kushtetuese e penale. E vetmja shpresë e imja lidhet drejtpërdrejt me reformën në drejtësi. Sepse dje përveç 21 janarit Berisha foli dhe për krime nga SHIK.

Për kë e kishte Berisha dje kur foli se ShIK Ka bërë shkelje ligji të papranueshme?
Pas një interviste për Remzi Hoxhën Berishës ka filluar t’i flasë koshienca. Vrasja e Remzi Hoxhës nuk është banale. Është vrasje e konsumuar me urdhër të drejtpërdrejtë të Berishëa, ndërsa ai e cilësoi si shkelje të rëndë të ligjit. Ai duhet të vihet përballë ligjit si vrasës.

Nëse Gjykata Kushtetuese do ta gjejë një kleçkë për ligjin e Vettingut , do të ketë një reagim nga mazhoranca apo do rishikohet ligji?
Kjo nuk është më punë e mazhorancës, një ligj i tillë është e drejtë themelore e njeriut. Drejtësia nuk po i mohohet Erion Braçes por çdo qytetari.

Ç’duhet të bëjë qytetari?
Atje në bulevard kundër Gjykatës Kushtetuese.

Mund të protestohet edhe kundër gjykatës?
Kur i mohohet çdo qytetari një e drejtë themelore as nuk diskutohet fare që mund të protestohet. Për më tepër kur ata janë në konflikt interesi në lidhje me pasurinë e tyre. 

Ky është mendim i juaji apo i shumicës?
Unë kam zërin tim brenda shumicës dhe do ja bëj të qartë. E gjithë shoqëria duhet të protestojë kundër kësaj kaste që kanë pushtetin real në këtë vend.

Flasim pak tani për buxhetin 2017, shumë projekte të mëdha kanë ngecur, do të shtyhen për shumë kohë?
Nuk besoj se ne do t’i joshim shqiptarët me një rrugë. Nuk e kam mohuar që jemi mbrapa me disa vepra të rëndësishme në Shqipëri. Bëhet fjalë për rrugën Tiranë-Elbasan dhe për Bypass-in e Levanit. Këto projekte janë bllokuar për shkak të marrëdhënieve kontraktuale. Për Bypass-in e Fierit nënkontraktori ka marrë paratë dhe është larguar. 

A ka ligj kur një kompani nuk respekton punimet?
Shqetësimi im kryesor ka qenë me nënkontraktorët dhe kam bërë një interpelancë dhe e kam thënë këtë në atë periudhë kur ishte qeveria tjetër. Rruga Tiranë-Elbasan ka një problem që është ndërtuar edhe pa projekt.

Mos më thoni që duhet edhe një mandat për t’i çuar në fund këto projekte?
Në Komisionin e Ekonomisë patëm Ministrin e Transporteve dhe na ka garantuar që në fund të 6 mujorit të parë të 2017 Elbasan-Tiranë dhe Bypass-i i Fierit është i përfunduar.

Nuk keni rritur akcizën e duhanit, i keni bërë favor lobistëve të duhanit?
Nëse akciza e duhanit në vendin tonë rritet mbi akcizën e duhanit në lidhje me vendet e rajonit e lehtëson kontrabandimin. Akciza do vazhdojë të ndjekë trendin që ndjekin vendet e rajonit. Duhet forcuar tej mase administrimi fiskal për naftën, alkoolin dhe duhanin.

Keni një gjykim për eksperimentin me zonjat pa përvojë në tatime dhe dogana?
Nuk ishte eksperiment. Këto institucione kontrolloheshin nga një grusht biznesmenësh. Kryeministri mendoi që në krye të këtyre institucioneve të sillte njerëz që nuk kishin lidhje me atë klientelë tregtare që kishte kapur institucionet. Mendoj që për dy vite pati sukses, pas dy vitesh keq më vjen po dështimi i ishte publik. Në vitin 2015 për shkak të tregjeve ndërkombëtare dhe evazionit fiskal plani nuk u arrit. 

Pensionistët pyesin përditë a do ta marrin shpërblimin e fundvitit?
Besoj se qeveria po punon për e të hartuar një vendim që besoj se do të shpërblejë pensionistët.

Sa do jetë shifra?
Nuk mund ta them dot, por çdo lloj shifre nuk u mjafton. Do të jetë një masë shpërblimi që jepet para Vitit të Ri.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë