TIRANË- Deputeti socialist Erion Braçe bën shpesh herë denoncime për mënyrën sesi çohen dëm prodhimet e fermerëve në vendin tonë. Së fundmi ai ka postuar në rrjetin e tij social, një foto ku në Stokholm të Suedisë shitet shalqiri i prodhuar në vendin tonë me 1.2 euro.

Braçe shkruan se fermerëve në Cermë të Lushnjës u mbetet prodhimi pa shitur dhe detyrohet që ta japin atë falas, me zero lekë, vetëm për të pastruar serat në mënyrë që të mbjellin sërish prodhime.

Sipas tij, ashtu siç shihet edhe nga fotoja e supermarketit në Suedi, kërkesa për produktin tonë nuk ka rënë, por fermerët nuk orientohet nga ministria për atë se çfarë duhet të prodhojnë dhe sasinë, duke bërë që prodhimi t’u shkojë dëm.

Deputeti shprehet se vendi ynë është shumë prapa sa i përket sektorit të bujqësisë, pasi prodhimi i këtyre fermerëve nuk mblidhet nga pikat e grumbullimit, por vetë këta grumbullues mbjellin shalqi dhe shesin të tyren e për rrjedhojë prodhimet e fermerëve mbeten pa shitur.

Pavarësisht replikave që ka pasur me ministren e Bujqësisë Frida Krifcën, Braçe thotë se nuk do të heshtë pasi nuk ëhstë e drejtë që paratë e fermerëve të shkojnë dëm.

“Stokholm/Suedi, dje në mbrëmje; shalqini ynë “albanien”,1.2 euro për kilogram! Shikoni, unë e kam shumë të lehtë të hesht, të mos flas, bërtas etj; ti bëja të lumtur të gjithë, Ministrin e Bujqësisë, por më shumë tregtarët gjithfarësh që po bëjnë pare! Por, a do ishte e drejtë kjo? Shiheni foton bërë dje në një supermarket, është shalqini ynë, e dallova sa e pashë, jo thjesht prej tabelës! 1.2 euro për kilogram! 1.2 euro për kilogram!

Ndërkohë në Imshte, atje ku prodhohet cilësisht ky shalqi, në Cerma atje ku prodhohet cilësisht ky shalqi; çmimi është zero lekë! Po mor po, zero lekë, thjesht për të pastruar parcelën! Tani, ju bën të lumtur heshtja ime? Ma thoni! Ju bën apo jo?! Paratë e njerëzve kalben në fusha kurse kërkesa për produktin tonë nuk ka rënë asnjë sekondë. Pyetje për udhëheqësit e bujqësisë, veçanërisht ata që zgjohen e ngrysen me tregtarët: e kuptoni ne c”prapambetje jemi? E kuptoni që sugjerimi i Thimos “lëreni shalqinin, mbillni domate”, nuk mbështetet kund ne supermarketet e Europës, por është produkt i prapambetjes të tregtarëve tuaj? VO: Më vonë gjatë ditës me video të tjera nga Gjermania e shalqini, do u tregoj edhe më shumë ç‘është prapambetja”, shkruan Braçe.