Me 8 vota pro, Komisioni i Ekonomisë pranoi propozimin e deputetit socialist Erion Braçe për të hequr cigaret elektronike nga lista e produkteve që do t’i nënshtrohen akcizës.

Braçe kërkoi që qeskat me nikotinë dhe cigaret elektronike të mos përfshihen në akcizë, pasi sipas tij janë produkte të ndaluara me ligj në Shqipëri.

“Për sa kohë që ky produkt është i ndaluar të hyjë në vend, nuk mund të ketë akcizë. Qeset me nikotinë duhet të ikin nga akciza, nuk lejohen”, tha Braçe.

Braçe ngriti akuza edhe ndaj kompanive që i tregtojnë, duke pretenduar se ndikimi i tyre bën që institucionet të mos zbatojnë ligjin.

" Vetëm në këtë vend komsiderohet duahani me djegie ose thithje si të doni ju si zvendësues i duhanit natyral. Po të gjithë ata që kanë mend e konsiderojnë po aq të dëmshëm. Ajo që të bën të dalësh nga mendt është fuqia e këtyre kompanive që fusin në vend këtë produkt. E kemi ndaluar me ligj që të hyjë në vend dhe nuk ndodh, promovohet hapur. Fuqia e këtyre grupeve është e paimagjinueshme sa detyron institucionet të mos respektojnë ligjin. Këtë duhan po e përdorin edhe fëmijët në shkolla, se nuk i kontrollon dot zysha në shkollë" tha Braçe

Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin e ri kundër duhanit, që parashikon kufizime edhe për cigaret elektronike dhe qeskat me nikotinë, përfshirë ndalimin e shitjes online.

Drafti parashikon edhe kufizime në reklamim dhe masa për të penguar aksesin e të miturve te këto produkte.


Lajmi kryesor:

Ulja e TVSH-së në 6% për produktet bazë, shtohen uji dhe produktet higjienike për gratë e fëmijët! Komisioni i Ekonomisë miraton ndryshimet edhe me votat e opozitës