Uji, produktet e higjienës menstruale për gratë dhe pelenat për fëmijët janë përfshirë në listën e produkteve që do të kenë TVSH të reduktuar në 6%, sipas ndryshimeve të miratuara nga Komisioni i Ekonomisë në projektligjin për TVSH-në, pjesë e paketës fiskale të Buxhetit 2027.
Një nga propozimet e miratuara është ai për produktet e higjienës menstruale, për të cilin deputeti socialist Erion Braçe ka katër vite që kërkon me ngulm uljen e TVSH-së.
Gjatë diskutimeve në komision, Braçe theksoi se kjo masë është në përputhje me direktivën e Bashkimit Europian.
Ndërkohë, deputeti Çakërri kërkoi që në listën e produkteve me TVSH 6% të përfshihej edhe uji, duke argumentuar se kostoja për buxhetin nuk është e madhe.
“Teksa flasim për buxhetin social, nuk mund të mos fusim ujin në skemë. Kostoja për ta futur ujin në skemë nuk është e madhe. Uji nuk është produkt që negociohet”, tha ai.
Ministria e Financave kundërshtoi propozimet, ndërsa për çështjen e ujit argumentoi se po mendohet që uji i çezmës të jetë i pijshëm. Kjo solli edhe debate me Braçen, i cili kundërshtoi krahasimin e ujit të çezmës me atë të ambalazhuar.
Me propozim të deputetit Kadeli, komisioni miratoi edhe uljen nga 20% në 6% të TVSH-së për projektimin e ndërtimeve të dedikuara sportit.
Projektligji u miratua me 10 vota pro, përfshirë edhe ato të deputetëve të opozitës Edmond Haxhinasto dhe Enno Bozdo, dhe pritet të kalojë për shqyrtim në seancën plenare të 26 nëntorit.
Komisioni i Ekonomisë miratoi me 8 vota pro projektligjin “Për taksat kombëtare”. Deputeti i opozitës Eno Bozdo u largua nga mbledhja, ndërsa Edmond Haxhinasto nuk mori pjesë në votim. Ndryshime pësoi edhe projektligji “Për tatimin mbi të ardhurat”, ku u vendos që të mos tatohen të ardhurat nga pensionet apo përfitimet e tjera që marrin shtetasit e huaj rezidentë në Shqipëri. Edhe ky projektligj u miratua me 8 vota pro.










Komente
Komento