Fshati Zogjaj në Dibër është drejt braktisjes totale. Nga 110 familje që ishin dikur, tanimë kanë mbetur vetëm 35. Arsyet lidhen kryesisht me perspektivën e munguar, disa nga pamundësia ekonomike e të tjerë nga mungesa e shërbimeve kanë vendosur të largohen.
Banorët flasin me dhimbje për gjendjen aktuale të fshatit, teksa shikojnë banesat e fqinjëve të tyre dita- ditës që po degradohen, pasi janë të pabanuara.
“Këtu duhet të punosh 6 muaj në behar, për 6 muaj dimër. Jetë e vështirë. S’kanë ngel as 20 shtëpi. Disa janë shpërngulur jashtë shtetit, ndërsa disa janë vendosur jashtë fshatit”
![]()
“Ne merremi me blegtori, lule mali, një asistencë apo pension kush merr. Kjo është mënyra e jetesës.”
“Kur e shoh fshatin tim që çdo ditë rrënohet, çdo ditë shemben shtëpi, prishen avlli, prishen muret me thënë të drejtën mua më pikon zemra.
“Largohen sepse këtu nuk kanë punë, prandaj e tradhtojnë vendin”, thonë banorët.
Haxhi Pulja Administrator i kësaj njësie pranon largimet masive duke iu referuar dhe numrit të pakët të nxënësve që frekuentojnë shkollën.
“Ne në fshatin Zogjaj kemi dhe shkollën 9-vjeçare, shkollë e cila grumbullonte dhe fshatrat e tjerë të asaj zone. Sot në atë shkollë kemi një numër prej 80 fëmijësh nga 200 që ka pasur", tha ai.
Megjithatë shikohet me shpresë dhe rikthim i tyre kjo dhe nga investimi në infrastrukturë që ka ndërmarrë Bashkia Bulqizë.
“Është ndërtuar një rrugë me gjatësi 5.3 km, një investim goxha i dashur, i adhuruar nga ana e banorëve që shpresojmë të ndikojë drejtëpërndrejtë në rritje ekonomike, por dhe rikthimin e atyre që janë larguar për arsye të infrastrukturës, por edhe shërbimeve të tjera", vijoi ai.
Banorët e paktë që kanë ngelur në fshat shprehen të kënaqur për rrugën e re e cila iu shërben për nxjerrjen e prodhimeve në treg dhe iu lehtëson lëvizjet.
Komente











