Një 55-vjeçar në Selanik është përballur me një gjobë marramendëse prej 270 mijë eurosh pasi u kap duke braktisur nëntë kotele.
Rasti ka bërë bujë në mediat greke jo vetëm për ngjarjen, por edhe për masën e ndëshkimit. Sipas autoriteteve, burri u gjobit me 30 mijë euro për secilën nga kotelet, duke e çuar shumën totale në 270 mijë euro. Atij iu vendos edhe një gjobë shtesë prej 300 eurosh për mungesë identifikimi me çip.
55-vjeçari pretendon se nuk e dinte që braktisja e kafshëve ishte shkelje e ligjit. Ai tha se nuk ishte më në gjendje të kujdesej për kotelet dhe se kishte kërkuar ndihmë edhe nga një strehë për kafshët.
“Nuk kam pasur kurrë kaq para në jetën time, as kur punoja. Jam i papunë dhe nuk kam asnjë mënyrë për t’i gjetur”, u shpreh ai për mediat greke.
Ngjarja u denoncua nga një qytetar që njoftoi policinë, ndërsa prokuroria ka urdhëruar nisjen e një hetimi për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit. Pas arrestimit, 55-vjeçari u la i lirë në pritje të përfundimit të procedurave.
Komente










