Fiorin Durmishaj zyrtarisht ka zgjedhur të përfaqësojë kombëtaren greke të futbollit. Sulmuesi 22-vjeçar i Panioniosit, i cili më herët ka qenë pjesë e kombëtares shpresa të shqipërisë, është bindur nga helenët për të zgjedhur të tjera ngjyra përfaqësimi që nuk janë kuqezi.

Lajmi që qarkullonte prej ditësh është konfirmuar nga vetë futbollisti i cili për median greke “total football” është shprehur:

“Nuk mund të bëj asgjë tjetër veçse të dashuroj këtë vend. Miqtë e mi janë grekë, ata më kanë ndihmuar shumë dhe nuk më shohin si të huaj, siç ndodhte më parë.

Nuk mund ta kafshosh dorën që të ushqen. E respektoj këtë. Erdha në Greqi me familjen time në një situatë të vështirë dhe na ndihmuan. Kjo është arsyeja pse unë dua të nderoj këtë vend. Janë nder i madh komentet e bëra nga trajneri i kombëtares greke Angelos Anastasiadis për mua. Do të tregoj më të mirën time dhe të justifikoj atë që kanë thënë për mua.”

Këtë sezon me Panionios Durmishaj ka shënuar 6 gola dhe ka dhënë një asist, duke rënë në sy të ekipeve të tjera greke që kanë shfaqur interesim për të. Edhe pse tifozët grekë janë kundër afrimit të futbollistit me origjinë nga Vlora në kombëtare, agjenti i Durmishajt dhe mbi të gjitha trajneri Greqisë e kanë bindur shqiptarin për të ndryshuar përfaqësuese.