Elozhi më i madh që mund t’i bëhet librit vjet nga burgjet braziliane dhe perfeksionon ekuivalencën universale mes librave dhe lirisë. Për të dënuarit e vendit latino-amerikan është ndezur drita e shpresës për një dënim alternativ që ligjvënësit brazilianë e kanë quajtur “Shlyerje përmes leximit”.

Bëhet fjalë për një eksperiment të aprovuar në katër burgje, falë një ligji të ri të aprovuar pak ditë më parë. Çdo i dënuar do të mund të lexojë një libër në muaj – nga letërsia, filosofia apo shkenca – në përfundim të të cilit do të përgatisë një tekst të shkruar, me aftësitë gjuhësore të nevojshme, për të treguar se ka kuptuar mesazhin dhe vlerën e tekstit që ka lexuar. Në këmbim, do të përfitojë katër ditë ulje dënimi. Për momentin limiti është caktuar në një libër në muaj: 12 tekste të selektuara gjatë gjithë vitit, për të përfituar 48 ditë liri më shumë.

Ideja mund t’i shkonte ndërmend vetëm dikujt që e ka njohur kufizimin e kangjellave, gjeometrinë e qelisë dhe zhurmën e braveve të hekurta. Në fakt është presidentja braziljane Dilma Rousseff që e ka ideuar, e cila para shumë vitesh, para se të zgjidhej në krye të Brazilit, ka kryer 3 vjet burg, nga viti 1970 deri në 1972. Ishte epoka e errët e gjeneralëve dhe Dilma, studente nga një familje borgjeze, ishte bërë pjesë e guerriljes. E arrestuan në San Paolo ende me armën në trup dhe e torturuan për 22 ditë. Që atëherë thotë se nuk e ka harruar nevojën për të imagjinuar lirinë kur je pas hekurave të burgut.

Dhe libri me siguri të fal lirinë, ndaj dhe regjimet e kanë luftuar gjithmonë. Kolonizatorët nuk lejonin skllevërit të lexonin, Pinochet urrente ironinë e Don Kishotit ndërsa ne ballkanasit kemi shembuj më të freskët: artileria serbe e Radovan Karaxhiç donte të shkatërronte jo vetëm Sarajevën, por edhe kujtesën, ndaj bombardoi për tre ditë e tre netë Bibliotekën e qytetit, derisa e ktheu në hi më të zi sesa boja e librave të djegur.

(im/shqiptarja.com)