BRAZIL - Pak më shumë se një javë pas tragjedisë në qytetin jugor brazilian Santa Maria ku 237 studentë humbën jetën si pasojë e një zjarri në një klub nate, shokët e klasave të tyre janë kthyer në auditoret e universitetit.

Një profesor tha se ka humbur 15-të prej nxënësve të tij dhe se dhimbja e shkaktuar nga tragjedia është e papërshkueshme. Disa studentë qëndronin në heshtje në klasat e tyre, ndërsa muzikantët e orkestrës së universitetit luajtën muzikë funebre në kujtim të viktimave.

Nëndrejtori i universitetit tha se do të jetë një semestër i cili do të përfundojë në një mënyrë shumë të pazakontë. Duhet të punojmë me shumë vështirësi për të qënë fleksibël dhe pozitiv dhe do t’i kujtojmë studentët me gadishmërinë dhe ëndrrat e tyre për të ardhmen. Zjarri i rënë në Santa Maria ka hedhur dritë mbi çështjet e sigurisë në vendet publike në të gjithë Brazilin.

Gjatë ditëve të fundit zyrtarët kanë kryer inspektime në qindra lokale të cilat janë mbyllur përkohësisht, pasi nuk përputheshin me rregullat e sigurisë. Në Brazil do të zhvillohet Kupa e Botës 2014 dhe zyrtarët po përpiqen për të siguruar komunitetin ndërkombëtar, se ajo mund të mirëpresë ngjarje globale mes kushteve të sigurta.

Redaksia online
(eç/lç/shqiptarja.com)