Në kuadër të rilindjes së qyteteve dhe vijës bregdetare Edi Rama këtë herë ka postuar në Facebook një video të ''Himarës së rilindur'' sipas konceptit të kryeministrit.

‘’Nuk është Jugu i Francës, është Himara e rilindur falë Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane’’ ka shkruar Rama në përshkrimin e videos që korrespondon me çeljen e sezonit turistik.

Duket se Rama ka zgjedhur ta krahasojë bregdetin shqiptar me atë francez si për të krijuar një analogji edhe me ndeshjen midis kombëtares sonë dhe gjelave të Francës që nuk kishin shumë diferencë në lojë, pavarësisht dy golave në fund. Por në të njëjtën kohë kjo video mund të konsiderohet edhe si përgjigje ndaj ankesave të Grupit të Këshilltarëve të PBDNJ, Bashkia Himarë. Ata disa ditë më parë kanë publikuar një video të Himarës së shkatërruar nga përmbytjet duke theksuar se se investimet që projektohen nuk synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe tërheqjen e turistëve, por kanë si qëllim të vetëm pasurimin personal nëpërmjet investimeve të dyshimta.