TIRANË -  Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha ka kërkuar sot nga qeveria, të shpallë menjëherë emergjencën në zonën e përmbytur nga dalja nga shtrati e lumit të Tiranës. Zoti Basha ishte sërish sot pranë banorëve në këto zona, të cilët po ndihmohen në pastrimin e banesave të tyre nga afro 400 punonjës të Bashkisë së Tiranës. 8 grupet e vlerësimit të ngritura nga Bashkia e Tiranës ka nisur verifikimin e dëmeve. Kreu i Bashkisë së Tiranës theksoi se nga të dhënat e para, 1000 familje të qytetit të Tiranës janë në gjendje emergjente.
 
“Janë prekur drejtpërdrejt 694 banesa, afro 1000 familje dhe mbi 50 biznese. 1000 familje të qytetit të Tiranës janë në gjendje emergjente. Furia e shtratit të lumit ka shkatërruar porta, ka marrë përpara automjete, ka përmbytur të gjithë orenditë e tyre shtëpiake, elektro-shtëpiake, librat e nxënësve. Është një situatë jashtëzakonisht e rëndë, është pa dyshim një situatë emergjente", ka thënë kryebashkiaku Basha.

Sipas tij, "Bashkia e Tiranës ka dislokuar sot 400 punonjës në të gjithë territorin, të cilin e kemi ndarë në 5 zona. Në secilën prej zonave, punonjësit e Bashkisë së Tiranës po punojnë për të pastruar llumin nga shtëpitë dhe oborret e banorëve dhe për t’i ndihmuar të vënë sadopak rend brenda shtëpive të tyre".

"Banorët janë të traumatizuar, një pjesë e tyre nuk kanë se ku “të fusin kokën”. Po përpiqemi t’i furnizojmë me ujë të pijshëm, me autobotë ose me bidonë. Paralelisht, po koordinojmë punën me CEZ, për të mundësuar risjelljen e energjisë, aty ku është e mundur, në mënyrë të sigurt, pasi zona të tëra janë pa energji. Rikthimi i energjisë në mënyrë të sigurt, pra jo të rrezikshme është një prioritet. Po punohet për zhbllokimin e kanalizimeve, aty ku ato janë bllokuar nga llumrat", ka shpjeguar gjendjen Basha.

Por për këtë ai ka kërkuar "vëmendjen edhe të organeve të qeverisjes qendrore". "Ne kemi ngritur 8 grupe pune, për vlerësimin e dëmit. Kjo zonë duhet të shpallet menjëherë “zonë emergjence” dhe të merren masa për t’u ardhur në ndihmë banorëve. Janë prekur drejtpërdrejt 694 banesa dhe mbi 50 biznese. 1000 familje të qytetit të Tiranës janë në gjendje emergjente".
 
"Bashkia po bën gjithçka, për t’iu gjendur pranë. Ne do të jemi këtu edhe në orët e ditët në vijim, për të bërë atë që mund të bëjmë. Uroj që së shpejti, edhe organet e qeverisjes qendrore, t’i kthejnë sytë nga kjo zonë, pikë së pari duke deklaruar emergjencën e pjesshme në këtë zonë dhe së dyti të bashkërendojnë me grupet tona të vlerësimit të dëmit nëpër zonë. Që të kthehet jeta në parametra të pranueshëm kërkohet domosdoshmërisht, përveç ndihmës sonë emergjente, edhe një ndihmë financiare në ditët dhe javët në vijim”, theksoi Basha.
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)