Pak ditë para ndeshjes që mund të vendosë titullin në Serie A, Gleison Bremer ka ndezur Derbin e Italisë mes Interit dhe Juventusit, që luhet të dielën në 20:45. Mbrojtësi i Juves ka "thumbuar" zikaltërit, duke thënë se bëri mirë që zgjodhi të bëhej pjesë e këtij ekipi dhe jo Interit.
"A mendoj ndonjëherë se mund të kisha luajtur për Interin? Jo, jam në anën e duhur. Më vjen mirë për këtë zgjedhje", deklaroi mbrojtësi brazilian i Juventusit.
"Me Interin do të jetë një duel deri në fund. Të marrësh një rezultat të mirë në Milano nuk është kurrë e lehtë. Për mendimin tim, kush fiton ndeshjen nuk e fiton kampionatin. Janë ende shumë ndeshje, por është një hap i rëndësishëm në garën për titullin", tha ai.
Të dielën në 'San Siro' ai do të përballet me Lautaron, por Bremer fokusohet në formën e sulmuesve që ka në ekip.
"Vlahovic është një sulmues i fortë fizikisht, kur luajmë së bashku në një mini-ndeshje, unë i jap shumë këshilla. Ai është i mirë në zonë. Yildiz është gjithashtu një sulmues i mirë, në stërvitje e kemi shumë pranë, por ai nuk ankohet nga ndërhyrjet dhe vazhdon të luajë. Ai ka forcë të madhe në këmbë dhe mund të ketë një karrierë të mirë", tha ai.