TIRANE - Shumë shpejt policia do të nisë aplikimin e gjobave këshilluese. Ky fakt është pohuar nga Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili sot inspektoi punimet për rikonstruksionin e godinës së Policisë Rrugore në Tiranë. Tahiri shtoi se marrëdhënia mes policit rrugor dhe qytetarit duhet të bazohet tek këshillat dhe jo tek gjobat ndëshkuese. 

"Ne jemi shumë të vendosur dhe brenda pak javësh përfundojmë edhe sistemin për gjobën këshilluese, që do të jetë gjobë me vlerë zero, për t’i dhënë mundësi njerëzve, veçanërisht drejtuesve të automjeteve, që të kuptojnë se jo çdo takim me policin rrugor është një takim ku do marrësh një gjobë. Por ndërkohë çdo takim me punonjësin e Policisë Rrugore do të jetë një takim ku të mësosh se duhet të respektohen rregullat e qarkullimit rrugor, kjo nga njëra anë.  Dhe nga ana tjetër, punonjësi i policisë do të ndryshojë mënyrën e të konceptuarit të punës së tij dhe mënyrën e kontaktit me qytetarin. Jo në të gjitha rastet qytetari meriton një gjobë, sepse ndodh që ka drejtues mjetesh që janë shumë të rregullt. Ka gabime që janë fare rastësore, apo për arsye njerëzore dhe në këto raste qytetari duhet promovuar që të respektojë rregullat e qarkullimit rrugor. Kjo jo detyrimisht kalon nga gjoba", tha ministri.

Ndërkohë, ministri ju shmang interesit të gazetarëve për Byronë e Hetimit. 

Pyetje: Komisioni i Venecias sugjeroi që Byroja e Hetimit të mos ishte në varësi të drejtorit të përgjithshëm. Do e mbështesni ju këtë variant? Sepse mbi të foli dhe ministri i Drejtësisë ditën e djeshme.
Ministri Tahiri: Unë besoj që, përtej lajmit të ditës, është shumë e rëndësishme të bëjmë ç’është e mundur që qytetarët të mos përballen më me të shkuarën në shërbimet që marrin nga Policia Rrugore. Dhe është shumë e domosdoshme që në rast se vijnë këtu në sportel, në Policinë Rrugore apo çdo sportel të Policisë të Shtetit, të gjejnë një shërbim pa korrupsion.
 
Pyetje: Zoti ministër, do t’i qëndroni variantit të miratuar në qeveri mbi Byronë Kombëtare të Hetimit, pas rekomandimeve të Venecias?
Ministri Tahiri: Ju do vazhdoni të pyesni, dhe unë do vazhdoj të përgjigjem për këtë, sepse besoj që vuajtja e përditshme e qytetarëve duke u paraqitur në sportelet e Policisë së Shtetit është e pamerituar. Dhe për këtë duhet ndrequr.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 27 Dhjetor, 14:09

    Si ka qenë 2025-a për ju?