Një grup gazetarësh të AFP kanë shkuar në Siri dhe kanë imazhe të rënda nga një burg ku mbahen ish luftëtarët e ISIS-it, të ruajtur nga forcat kurde.
Bëhet fjalë për rreth 5000 nga 12 mijë në total të dyshuar si luftëtarë të ISIS që mbahen të burgosur, në kushte skandaloze, të sëmurë e të infektuar.
Qelitë janë të tejmbushura aq sa trupat e të burgosurve mbulojnë çdo centimetër katror. Shumë prej tyre janë të infektuar me SIDA, me hepatit, si dhe me plagë të hapur prej të cilave u duken organet. Vetëm rreth 300 prej tyre mund të kalojnë natën në repartin ambulator për tu kuruar.
Shumë prej të burgosurve flejnë në dysheme. Të paktë janë ata ‘me fat’ që kanë një shtrat për t’u shtrirë.
Nëpër ‘rrugicat’ e ngushta të qelive mund të shihen edhe ‘sonambul’ që lëvizin pa sens, të përhumbur në pavetdijen e tyre.
Asnjëri prej tyre nuk ka dalë nga qelitë për të marrë rreze dielli qoftë një herë të vetme përgjatë shumë muajve që mbahen të izoluar.
Në një qeli të veçantë mbahen fëmijët nën 18 vjeç të cilët stërviteshin nga terroristët e ISIS për të qënë luftëtarë të shtetit islamik.
Shumë prej të burgosurve akuzohen se kanë kryer mizori, ekzekutime masive, përdhunime, skllavërime dhe tortura gjatë ‘mbretërimit’ në kalifatin e tyre.
Të gjithë luten të kthehen në vendet prej nga kanë ardhur, nga 50 vende të ndryshme të botës.
Pyetja që ngrenë të gjithë është se sa do të mbajnë këto mure dhe këto dyer burgu në rast se sulmet turke vazhdojnë…