Si arrin Terminatori Rama ta mbajë larg pushtetit gjirizin komunisto-haxhiqamilist me në krye Doktor Hajdutin?

Si ia bën Shpëtimtari Rama që Sali Vrromën vazhdimisht e mund, vazhdimisht e turpëron, e poshtëron, e largon, e zvogëlon, e ka katandis sa një sy allçini, artificial dhe qorr?

Ku e gjen Komunikatori Rama fuqinë për t'i shtypur pa mëshirë ata minj, ato insekte, ata urithë, që mbahen për demokratë, por janë hajdutë; mbahen për patriotë, por janë dallaverexhinj; mbahen për të pastër, por janë pisa, dhe e vetmja arsye që i lidh me njëritjetrin nuk është asnjë ide apo alternativë, por vetëm se të gjithë përdorin vetëm para të vjedhura?

Si ia arriti, cilën strategji përdori Krishti Rama që ia hoqi Sali Volorekës nga kthetrat e përgjakura Të Bukurën e Dheut, të cilën Doktor Kataklizma, nga milenare evropiane, e bëri aziatike, zhelane, të rraskapitur e të uritur, ndërsa Patrioti Rama e solli në vete, e lau, e krehu, e ushqeu, e veshi, e mbathi dhe e vuri ku meriton, krahas vendeve të qytetëruara evropiane dhe botërore?

Në cilin libër e ka lexuar, në cilën shkollë dhe nga cili pedagog me mjekër të bardhë e ka mësuar Artisti Rama shpartallimin e çetës së komunistëve shqiptarë, bërthamës së fundit të bolshevizmit haxhiqamilist në botë, me në krye ultra-komunistin Sali Histeriku?

Tani që Piktori Rama ëndrrën e hordhisë haxhiqamiliste shqiptarë për të ardhur në pushtet e groposi përfundimisht, sekretin e strategjisë së Tij mund ta bëjmë të njohur pa merakun se Eksploratori Rama mund ta dëmtojmë.

Thelbi i strategjisë fitimtare të Profetit Rama qëndron në faktin se arriti të hyjë atje ku askush dhe asnjëherë nuk ka mundur të futet. Në Vrimën e Zezë të njerëzimit. Në vendin më misterioz që ekziston. Në qoshen më të largët të Universit. Në skutën më të thellë dhe më të errët. Ku asgjë e gjallë, dhe asnjë Kalë Troje s'ka depërtuar. Në kalanë e vetme të cilën Qytetërimi nuk e mori dot kurrë. Atje ku kurrkush s'ka mundur të hyjë deri më sot. Asnjë mendimtar, asnjë filozof, asnjë psikiatër apo psikanalist. As Sigmund Freud-i dhe as Carl Gustav Jung-u. Ku për të vajtur, ka trena, por u ka mbaruar nafta; ka aeroplanë, por pa elika; ka makina, por pa rrota; ka karroca, por pa kuaj. Harrakati Rama arriti të hyjë atje ku teorikisht, praktikisht dhe filozofikisht nuk mund të hyhet - brenda trurit të budallait.

Jo për ta ndrequr apo për të gdhendur diçka. Se s'është as sahatçi, as marangoz. Por për ta ruajtur Shqipërinë nga rrënimi total.

Dakord. Por budallenjtë janë shumë. Edhe në trurin e hajdutit me buldozer Sali Hajni hyri Terminatori Rama?

Po. Terminatori Rama zbarkoi në mes të pyllit të trurit të kryebudallait, si në Feken ose në Linos. Ku ngriti selinë të quajtur SHKABA (Shtabi Kundër Analfabetëve Budallenj Antishqiptarë). Shefe Shtabi: Elisa Spiropali. Arsyeja, pra, pse Zhana d'Ark shqiptare, Ajo që vriste e priste në Parlament me shpatë të rëndë dhe të mprehtë sa majtas-djathtas, po del rrallë, është se Lideri Rama i besoi drejtimin operacional të misionit brenda trurit së kryebudallait, detyrë të cilën shpatarja e paepur e kreu me të njëjtën energji dhe pathos që luftoi e fitoi fushatat anekënd Shqipërisë ndër vite.

Vetëm me eksplorimin nga brenda të trurit së budallait, duke i njohur dhe modifikuar çdo qelizë asaj koke bosh dhe atij truri të tharë, Komandanti Rama, tashmë i shndërruar në Mit, realizoi objektiva të rëndësishme:

Nga vend i frikshëm e i rrezikshëm me piramida, banda e trafiqe, e ktheu Shqipërinë në atraksion turistik me pesë yje dhe miliona turistë. Deri edhe Jazz në Bilisht, Swing në Laç, Techno në Pukë, Opera në Tepelenë. Gjëra të paimagjinueshme këto kur Doktor Kataklizma vetëm vidhte dhe bënte sikur qeveriste.

Pikërisht brenda dhe mes rrudhave të trurit të çakërdisur të Doktor Budallait u konceptua dhe realizua kryevepra e shekullit: Varrosja e ëndrrës haxhiqamiliste "Po nuk e realizuam dot planin për të ardhur në pushtet nga dera, s'ka problem. Futemi nga dritarja si revolucionarët. Zbresim me litar nga oxhaku si ujku në Abetare me këmbën e lyer me miell. Zvarritemi nëpër llagëme si urithë".

Dhe mbetën të gjitha ëndrra.

Fitimtari Rama, duke u futur demokratëve trutë e gomarit nga brenda trurit pervers të Sali Fundërrinës, i bindi të dhurojnë pa kushte dhe pa naze të gjitha pushtetet.

Disi i gjatë ky shkrim për të lehtësuar leximin nga "demokratët" injorantë që kuptojnë me vështirësi.

Pra, shkurt, jo si demokratët rrenacakë që gjithkund hyjnë e dalin me para të vjedhura. Por me inteligjencë, kulturë, fantazi e durim, për të mirën e vendit, Supermani Rama nuk hyn në trurin e të squtit ku hyjnë e dalin të gjithë, edhe budallenjtë, por hyn dhe zgjidh problemin me bisturi laser atje ku askush tjetër në historinë e botës nuk ka mundur të hyjë - në trurin e sëmurë të kryebudallait të Opozitës.