Brenda vitit pritet të nisin punimet për ndërtimin e autostradës Kashar-Rrogozhinë me gjatësi 33.5 kilometra, që është pjesë e Korridorit Blu.
Ministri i Infrastrukturës Enea Karakaçi, njofton se është miratuar projekti i zbatimit, dhe se do të nisin menjëherë shpronësimet për ti hapur rrugën ndërtimit të autostradës.
Ministri thotë se kjo autostradë e kategorisë A, do të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë Veri–Jug, duke ndihmuar në lehtësimin e trafikut në autostradën Tiranë–Durrës.
Kjo autostradë e re që nis në nyjën e Kasharit dhe përfundon në nyjën pranë seksionit rrugor Plepa – Rrogozhinë, është projekt i dhënë me koncesion për 35 vite dhe do të kushtojë 474.8 milionë euro pa TVSH.
Ashtu si edhe segmentet e tjera të Korridorit Blu, edhe kjo autostradë do të jetë me pagesë për qytetarët pasi të hapet për operim.
“ARRSH ka miratuar projektin e zbatimit që ka ardhur në ministri ditën e sotme dhe do të nis menjëherë procesin e shpronësimeve, duke i hapur rrugë nisjes së punimeve brenda këtij viti. Kashar–Rrogozhinë është pjesë e Korridorit Blu dhe vazhdimi i aksit Thumanë–Kashar. Me një gjatësi prej 33,5 kilometrash, kjo do të jetë autostradë e kategorisë A dhe do të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë Veri–Jug, duke ndihmuar në lehtësimin e trafikut në një prej akseve më të ngarkuara të vendit, Tiranë–Durrës. Ky është një projekt i rëndësishëm që, së bashku me kantierët që kemi hapur, do të kontribuojë në modernizimin e infrastrukturës rrugore të vendit dhe do të çojë një hap më tej lidhjen e Shqipërisë me rrjetin evropian të transportit”, tha Karakaçi.









Komente
Komento