Breshëri automatiku janë dëgjuar mesditën e kësaj të shtune në qytetin e Elbasanit. 

Një person ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë në ajër, teksa ishte duke ecur me një makinë BMW e cila sipas policisë rezulton në pronësi të personit të identifikuar me inicialet B.B. Mësohet se mjeti ka qenë me targa false. 

Ngjarja ka ndodhur në lagjen "Emin Matraxhiu", në afërsi të Urës së Bakallit. Pas të shtënave, autori është larguar me shpejtësi me automjetin BMW, të cilit i ka vënë flakët në lagjen "Haxhias". 

Dyshohet se po përgatiste atentat
Burime pranë Policisë së Elbasanit bëjnë të ditur se autori i të shtënave me kallashnikov ka tentuar të ekzekutojë një person tjetër. 

Ai ka qëlluar me breshëri në ajër, ndërsa plumbat fatmirësisht nuk kanë prekur asnjë nga kalimtarët e rastit. 

Ngjarja ka ndodhur në një orar ku ka pasur lëvizje të qytetarëve.

Njoftimi i policisë: 
Më datë 05.08.2017 në lagjen "Emin Matraxhiu", në afërsi të "Urës së Bakallit" një mjet BMW, në ecje e sipër ka qëlluar me armë në ajër dhe me pas është larguar.

Nuk ka dëme në njerëz.

Mjeti BMW është gjendur i djegur në lagjen Haxhias. Nga verifikimet paraprake mjeti rezulton në pronësi të shtetasit B.B.

Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com