Lideri i partisë opozitare “Reforma”, Nigel Farage, njoftoi sot se nëse ai vjen në pushtet do t'i ndalojë kujtdo që t'i jepet azil për deri në pesë vjet si pjesë e një goditjeje ndaj emigracionit në Britani.

I njohur ndryshe si 'Babai i Brexit-it', Farage tha se afërsisht 90,000 aplikimet për azil në pritje do të shpalleshin të pavlefshme, kërkesat e reja do të refuzoheshin automatikisht dhe aplikantët e refuzuar do të ktheheshin ose në vendet e tyre të origjinës ose në një vend të tretë të sigurt.

Farage tha se mund të vendosë tarifa, ndalime vizash ose kufizime të hapësirës ajrore për vendet që refuzojnë të pranojnë kthimin e azilkërkuesve, shkruan Reuters.

“Ne duam të kthehemi në një vend normal, një vend që ndalon dhe deporton njerëzit që vijnë ilegalisht, siç bën pothuajse çdo vend tjetër në botë”, tha Farage.

‘Reform UK’ kryesonte në sondazhet e opinionit deri këtë verë, por hetimet e vazhdueshme policore dhe parlamentare mbi mënyrën e financimit të partisë, plus marrja e detyrës së Andy Burnham si kryeministër i Partisë Laburiste, e ka shtyrë partinë në vendin e dytë. Reform UK mohon se ka shkelur ligjin zgjedhor.

Zgjedhjet e ardhshme janë planifikuar të mbahen në vitin 2029. Emigracioni mbetet çështja kryesore për votuesit britanikë, sipas sondazheve, pjesërisht i nxitur nga zhgënjimi për dështimin e qeverive të njëpasnjëshme për të ndaluar dhjetëra mijëra azilkërkues që mbërrijnë me anije nga Evropa kontinentale.