Një haker është deklaruar fajtor për një sërë krimesh online, përfshirë përpjekjen për të zhvatur krijuesit e Grand Theft Auto 6, pasi vodhi dhjetëra klipe të papërfunduara të lojës.

21-vjeçari Arion Kurtaj, kreu sulmin kibernetik në vitin 2022 dhe fillimisht u dënua me një qëndrim të pacaktuar në një spital për shkak të autizmit. Por, në një veprim të pazakontë, ai më pas u konsiderua i aftë për t'u gjykuar.

Të hënën, Kurtaj u deklarua fajtor në Gjykatën e Kurorës në Woolwich për hakimin e Rockstar Games dhe një numër të madh veprimesh të tjera që ai i kreu kur ishte 16 vjeç me bandën e hakerave Lapsus$, shkruan BBC.

Kurtaj hyri në të drejtat e autorit të Rockstar Games në vitin 2022 ndërsa ishte në lirim me kusht për shumë vepra të tjera penale të hakerimit dhe nën mbrojtjen e policisë.

Ai po strehohej në një hotel Travelodge në Bicester për tu mbrojtur nga hakerat rivalë që e kërcënuan se do ta sulmonin për sasitë e vjedhura të Bitcoin.

Me kompjuterin e tij të konfiskuar, Kurtaj hakoi Rockstar duke përdorur një Amazon Fire Stick të lidhur në televizorin e dhomës së hotelit së bashku me një tastierë dhe maus Bluetooth. Ai vodhi të dhëna të brendshme të kompanisë, përfshirë 90 klipe që tregonin gati 60 minuta lojë nga loja e papërfunduar dhe shumë e pritur Grand Theft Auto 6.

Pastaj ai hyri në sistemin e brendshëm të mesazheve Slack të kompanisë për të deklaruar: "Nëse Rockstar nuk më kontakton në Telegram brenda 24 orëve, unë do të filloj publikimin e kodit burimor."

Kompania refuzoi të bashkëpunonte, kështu që ai i postoi klipet dhe kodin burimor në një forum nën emrin e përdoruesit TeaPotUberHacker.

Rockstar Games tha se firmës i kushtoi 5 milionë dollarë (3.79 milionë paund) për t’u rikuperuar nga hakimi, plus mijëra orë pune nga stafi.

Kompania tha gjithashtu se shkelja zbuloi për herë të parë se një nga personazhet e luajtshëm në lojë ishte një grua - një sekret që po e ruante me kujdes për qëllime marketingu.

Sulmet e tij kibernetike ndaj kompanive vlerësohet se kanë shkaktuar dëme prej rreth 10 milionë paundësh. Duke përdorur të dhënat e vjedhura nga firmat, ai dhe anëtarë të tjerë të bandës shënjestruan investitorët e kriptomonedhave.

Prokuroria argumentoi se banda vodhi të paktën 300,000 dollarë nga viktimat individuale. Kurtaj gjithashtu u deklarua fajtor për sulme fizike ndaj punëtorëve gjatë kohës që ishte në paraburgim, duke përfshirë incidente të shumta.