Dy shqiptarë janë burgosur me nga 4 vjet e 8 muaj secili pasi grabitën 7 prona, përfshirë edhe shtëpinë e një ish-futbollisti të Aston Villa dhe Birmingham City. Sipas mediave britanike Denis Puka, 28 vjeç dhe Erisjan Laska, 29 vjeç së bashku me një person të tretë të paidentifikuar, kryen një seri grabitjesh për 3 net rresht qershorin e kaluar.

Gjyqtari Steven Everett e quajti operacionin e tyre “të sofistikuar dhe të planifikuar mirë” pasi ata rezervuan një dhomë me Airbnb në Warrington dhe lëvizën jashtë zonës për ta përdorur atë si bazë nga e cila kryenin veprat e tyre penale. Për grabitjet ata përdorën një makinë 'Seat Leon', me 3 targa të falsifikuara.

Të pandehurit ishin pajisur me maska, mjete dhe radio dore. Shtëpia e ish-lojtarit të Aston Villa, Scott Hogan i cili tani luan si sulmuesi i Milton Keynes Dons ishte ndër pronat e përzgjedhura midis 5 dhe 7 qershorit.

Prokurorja Nardeen Nemat tha se gruaja (shtatzënë) e futbollistit dhe vajza e tij e vogël ishin gjithashtu në shtëpi në momentin e grabitjes.

“Të pandehurit u ngjitën mbi gardh dhe hynë në kopsht. Njëri prej tyre u ngjit mbi shpatullën e një tjetri dhe hipi në rrjetën e shtëpisë për të arritur dritaren e dhomës së gjumit. Hogan ishte në dhomën e tij të gjumit kur u zgjua nga një dritë elektriku që ndriçonte nga dritarja e dhomës së tij të gjumit. Ai pa jashtë 3 djem. Hogan vrapoi pas tyre, por ata u larguan”, tha prokurorja.

Në një deklaratë personale të lexuar në gjykatë, Hogan tha se incidenti kishte “çuar në shumë net pa gjumë plot stres dhe ankth”.

“Nuk mund ta shpreh plotësisht me fjalë se çfarë efekti dramatik ka pasur kjo tek unë dhe familja ime”, tha ai.

Dy banesa të tjera ishin vënë në shënjestër atë mbrëmje. Në njërën prej tyre ata mundën të hynin duke plaçkitur çdo dhomë përveç asaj të gjumit ku flinin pronarët.

Të pandehurit sulmuan prona në Grappenhall, Knutsford dhe Northwich natën pasardhëse. Ata përsëri u larguan duarbosh nga dy bastisjet e para, por vodhën një orë Breitling dhe një orë Rolex me vlerë totale 9,000 £ nga një rezidencë në Northwich pasi pronarët e shtëpisë ishin me pushime.

Ata u arrestuan pasi makina e tyre u gjet në një kompleks banimi një javë më vonë me sende të ndryshme brenda, duke përfshirë telefona celularë, veshje të të pandehurve, mjete dhe targa të rreme regjistrimi.