Një grup iranianësh që jetojnë në Britani, kanë tubuar në qendër të Londrës me thirrjet për sanksione më të rrepta ndaj Iranit.
Përmes një deklarate grupi iranian i kërkoi qeverisë britanike që të cilësojnë Rojën Revolucionare Iraniane, Ministrinë Iraniane të Zbulimit dhe udhëheqësin suprem Ali Khamenei si subjekte terroriste.
Dowlat Nowrouzi, përfaqësuese e Këshillit Kombëtar të Rezistencës Iraniane tha se “Duam të shohim dhënien fund të terrorizmit, të armëve bërthamore, nga regjimi më brutal dhe shtypës e veçanërisht nga roja revolucionare e atij vendi.”
Matthew Offord, ligjvënës konservator britanik u shpreh se “Po mbështes jo vetëm votuesit e mi por po shfrytëzoj këtë mundësi për të dërguar një mesazh për kryeministrin tonë të ri se, ajo që po ndodh në Iran dhe sjellja e regjimit të atij vendi nuk është në interes të Mbretërisë së Bashkuar, nuk është në interes të popullit iranian dhe nuk është në interes të rendit botëror. Besoj se tani është koha për të vepruar.”
Tensionet janë shtuar ndërsa Irani është bërë gjithnjë e më agresiv në Ngushticën e Hormuzit, një korridor i rëndësishëm për transportin globaldetar që kalon pranë ujërave territoriale të Iranit.
Në fillim të muajit njësi të Rojës Revolucionare Iraniane përdorën helikopterë dhe anije të vogla për të marrë nën kontroll një anije çisternë që lundronte nën flamurin britanik në Ngushticën e Hormuzit.
Komente










