Një pllakë përkujtimore në nder të Edith Durhamit është vendosur në Hampstead të Londrës, në shtëpinë ku për vite me rradhë ka banuar antropologia e njohur.
Në ceremoni morën pjesë ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës, aktorja britanike Joanna Lumley, si dhe historianë e studiues të njohur.
E njohur në Shqipëri dhe Kosovë si “Mbretëresha e Malësorëve”, Durham i kushtoi një pjesë të rëndësishme të jetës së saj Ballkanit dhe çështjes shqiptare. Ajo udhëtoi nëpër Shqipëri dhe rajon në fillim të shekullit të njëzetë, dokumentoi traditat dhe jetën e popujve të Ballkanit, si dhe u angazhua fuqishëm për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Shqipërisë, të shpallur në vitin 1912.
Aktorja Joanna Lumley, e njohur për mbështetjen e saj ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, e cilësoi një nder përkujtimin e kësaj gruaje të jashtëzakonshme, me shpirt aventurier dhe përkushtim të rrallë.
Historiani Noel Malcolm vlerësoi gjithashtu rolin e Durhamit, duke theksuar se ajo udhëtoi në territore që konsideroheshin tepër të rrezikshme edhe për burrat evropianë të kohës.
Nisma u bë e mundur falë një fushate dhjetëvjeçare të Brian Ferris, pasi propozimi për vendosjen e pllakës nga organizata “English Heritage” nuk u mbështet fillimisht, me argumentin se Durham nuk ishte mjaftueshëm e njohur.
Për shqiptarët, Edith Durham mbetet një nga figurat e huaja më të përkushtuara ndaj çështjes kombëtare, ndërsa kjo pllakë synon të rikthejë në vëmendje kontributin e saj edhe në vendin e lindjes.









Komente
Komento