Avionë luftarakë Typhoon të Forcave Ajrore Mbretërore britanike iu bashkuan avionëve francezë në një sulm të përbashkët ajror kundër një depoje të nëndheshme armësh të përdorur nga grupi terrorist Shteti Islamik (ISIS) në Siri, njoftoi Ministria britanike e Mbrojtjes.
Sipas deklaratës zyrtare, analiza e kujdesshme e inteligjencës çoi autoritetet në përfundimin se objekti shërbente për magazinimin e armëve dhe eksplozivëve.
Depoja ndodhej në zonën malore në veri të Palmyrës, një sit i lashtë historik në Sirinë qendrore, shkruan BBC.
“Avionët tanë përdorën bomba të drejtuara Paveway IV për të goditur disa tunele hyrëse që çonin drejt objektit. Treguesit fillestarë janë se objektivi u godit me sukses,” thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes britanike.
Autoritetet shtuan se nuk ka asnjë shenjë dëmtimi të civilëve nga sulmi i kryer natën e së shtunës dhe se të gjithë avionët u kthyen në bazë në mënyrë të sigurt. Vlerësimi i detajuar i dëmeve është ende në proces, por zyrtarët besojnë se operacioni ka qenë i suksesshëm.
Komente








