Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të dislokojë forca ushtarake në Ukraina në rast se arrihet një marrëveshje paqeje me Rusinë. Qëndrimi është bërë publik nga Downing Street, pas nënshkrimit të “deklaratës së qëllimit” nga ana e Kryeministrit Keir Starmer në Samitin e Koalicionit të Vullnetmirëve në Paris. 

Sipas deklaratës zyrtare, plani për dislokimin e forcave britanike në Ukrainë pas armëpushimit, është pjesë e asaj që Londra e cilëson si një përkushtim afatgjatë për të qëndruar në krah të Kievit. Forca e quajtur “Multinational Force for Ukraine” do të shërbejë si forcë sigurie dhe garantuese, me synim forcimin e garancive të sigurisë dhe mbështetjen e stabilitetit pas konfliktit.

Në dokument i hapet rruga krijimit të një kornize ligjore që do t’u lejojë forcave britanike dhe franceze të veprojnë në territorin ukrainas. Këtu përfshihet sigurimi  i hapësirës ajrore dhe detare të Ukrainës, si edhe mbështetje për rindërtimin dhe modernizimin e forcave të saj të armatosura.

Pas armëpushimit, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca parashikojnë ngritjen e qendrave ushtarake në disa zona të Ukrainës, për të lehtësuar vendosjen e trupave dhe ndërtimin e strukturave të mbrojtura për armë dhe pajisje ushtarake.

Deklarata vjen në një moment kur vendet evropiane  po diskutojnë garancitë e sigurisë për Ukrainën pas një marrëveshjeje të mundshme paqeje. Parisi dhe Londra janë shfaqur si dy nga promotorët kryesorë të një force shumëkombëshe që do të veprojë pas përfundimit të luftimeve.


Lajmi kryesor:

Samiti i Vullnetmirëve në Paris/ Zelensky, Macron dhe Starmer nënshkruajnë për një forcë paqeruajtëse në Ukrainë: SHBA-të do të mbikëqyrin armëpushimin! Edhe Rama në takim