3 ditë më parë Sir Stuart Peach është emëruar i dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor. Përmes një postimi në twitter lajmin e ka përshëndetur edhe Presidenti Ilir Meta. Ai shkruan se roli i Mbretërisë së Bashkuar është shumë i rëndësishëm për promovimin e lirisë dhe demokracisë në Ballkan.
"Përshëndes emërimin e të Dërguarit Special të Qeverisë Britanike për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach. Mbretëria e Bashkuar ka dëshmuar të jetë një partner i qëndrueshëm, i besueshëm dhe shumë i rëndësishëm për promovimin e lirisë dhe demokracisë në rajonin tonë. Forcimi i paqes dhe stabilitetit mbetet kyç për forcimin e perspektivës evropiane", shkruan Meta.
Kujtojmë se Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se emërimi i Peach është pjesë e përkushtimeve të vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për stabilitet dhe paqe në këtë rajon.

Peach, i cili mban titullin "Sir" do të marrë detyrën e re pas dorëheqjes nga detyra e shefit të Komitetit ushtarak të NATO-s më herët gjatë vitit, pozitë të cilën e ka mbajtur nga viti 2018. Ai ka shërbyer më herët edhe si Shefi i Shtabit të Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar. Më 2000, Peach ka qenë edhe komandant i forcës ajrore të NATO-s në Kosovë.
Komente

