Kombëtarja shqiptare e futbollit luan në 16 nëntor miqësoren me Italinë dhe në 19 nëntor sërish një miqësore me Armeninë, të dyja në "Arenën Kombëtare" në Tiranë. Për këtë duel, trajneri Edy Reja ka ndryshuar listën fillestare të lojtarëve të grumbulluar.
Mbrojtësit Berat Gjimshiti dhe Ivan Balliu nuk janë lejuar të bashkohen me kuqezinjtë nga klubet e Atalantës dhe Rayo Vallecano, me arsyetimin se lojtarët kanë probleme fizike dhe kjo kohë pauze do shërbejë për rikuperimin e plotë të tyre.
Në stërvitjen e parë të Kombëtares në Durrës, Armando Broja dhe Kristal Abazaj kanë kryer vrapime të lehta pas problemeve fizike. Konsulta me mjekët do tregojë nëse dyshja do jetë e gatshme për të luajtur në dy miqësoret. Duke parë këtë problematikë, trajneri Reja ka marrë në ekip dy lojtarët e Partizanit, sulmuesit Tedi Cara dhe Xhuliano Skuka.