Njëherësh ai thotë se goditja ndaj ushtrisë ka ndodhur gjithnjë, dhe për të shuar besimin e ndaj ushtrisë menjëherë goditet komanda drejtuese. Sipas tij politika gjithnjë e ka përdorur ushtrinë për interesat e veta, duke arritur deri atje sa të ndodhë dhe Gërdeci.
Në këtë kuptim për të, shkarkimi i tre gjeneralëve është një cënim i pastër i sigurisë kombëtare, pasi ushtria humbet besimin te drejtimi qëndror. Ndaj Brokaj bën thirrje që politika të qëndrojë larg politikës dhe në veçanti larg zgjedhjeve të 23 qershorit.
Si e konsideroni shkarkimin e tre gjeneraleve të ushtrisë, pikërisht në këtë situatë?
Nuk është e çuditshme dhe fare e papritur për mua. Ka disa dekada që politika shqiptare nuk e lë rehat ushtrinë. Madje ka filluar dhe para vitit ‘90, me eliminimin e disa gjeneralëve të ushtrisë shqiptare. Por me gjithë goditjen e atëhershme, ushtria qëndroi solide dhe e fuqishme. Pas vitit 1992 dhe në vazhdim filluan me reformën politike mbi ushtrinë.
Mund të thuhet se ushtria u asgjësua si një strukturë kombëtare ku mund të mund të diskutohej nga politika vetëm për interesat kombëtare, mbrojtjen e atdheut, integritetit dhe sovranitetit. Ajo u bë objekt i politikës së ditës. Kështu me atë që u quajt reforma në ushtri, që natyrisht do të bëhej pasi ndryshoi sistemi politiko-shoqëror, pra do të ndryshonte dhe karakteri i ushtrisë, në thelbin e vet u godit ushtria si forca më solide e sigurisë kombëtare.
Po politika e përdori ushtrinë gjatë këtyre viteve...?
Pa diskutim. Veçanërisht përdorimi nga politika, në mënyrën më brutale u shfaq në vitet ‘96 e ’97, ku ajo u përdor dhe si armë për të goditur direkt popullin, me trupa, tanke, avionë, lëndë helmuese etj. Por dhe në zhvillimet e mëvonshme, veçanërisht me riardhjen në pushtet të Berishës, rifilloi përsëri ai konsiderim për ushtrinë, si një forcë politiko-partiake. Eshtë për të ardhur keq që elita e ushtrisë nuk nxori mësime nga vitet ‘92-‘97, në kuptimin e asaj pavarësie që duhej të kishte nga politika partiake.
Dhe iu nënshtrua politikës në mënyrë të padenjë. Aq sa u krijuan premisa apo kushtet që politika që bënte korrupsion me armatimin, të shkaktonte me ‘lejen’ e ushtarakëve tragjedinë e Gërdecit, kur ushtarakët duhej ta kishin ndaluar. Dhe vjen koha që ushtarakët ndëshkohen për Gërcedin, ndërsa politikanët që janë fajtorët kryesorë, nuk pësojnë asgje.
Kjo është akuzë e rëndë, pasi jemi në prag të zgjedhjeve...?
E bëra këtë parashtrim për të ardhur në momentin aktual të pyetjes suaj. Ai qëndrim ndaj ushtrisë për ta përdorur atë në operacionet politike partiake siç janë zgjedhjet, doli pësëri në mënyrë konkrete dhe revoltuese pikërisht tani me largimin e tre gjeneralëve. Mjafton të shikosh pohime vetëm të pjesshme të gjeneralëve, pasi unë jam i bindur që ka shumë më tepër nga çfarë pohojnë ata, për të kuptuar se farë po bën Berisha dhe qeveria e tij me ushtrinë.
Ndaj gjeneralët, Sandër Lleshi, Dhori Spirollari dhe Abaz Lleshi, janë viktimat e radhës. Megjithatë është më mirë që të largohen nga ushtria, të paktën për momentin siç e gjykoj unë, se sa të përdoren nga Berisha siç ka filluar të përdorë pjesë të ushtrisë, më shumë nesër në zgjedhje që janë përcaktuese për Shqipërinë, si vënd anëtar i NATO-s dhe pretendent për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE.
Ju mendoni se ushtria do të përzihet në zgjedhje....?
E thashë këtë se e kam bindjen se Berisha dhe shumë politikanë nuk kanë qënë dhënë nuk kanë për të qënë politikanë të nivelit dhe dimensioneve që duhet të ketë një politikan i një vendi të NATO-s. Do ishte shumë më keq sikur ushtria që është e integruar në NATO, drejtuesit e saj, komandantët e saj, gjeneralët e saj të përdoreshin si një ushtri që jo vetëm nuk është anëtare e NATO-s, por përdoret si vegël diktaturash ose manipulimesh në situata të rëndësishme politike.
E kam thënë dhe më parë që veprimet e Berishës janë karakteristike të veprimeve që bëri ai në zgjedhjet e viti ‘96 ashtu siç përdori atëherë administratën, policinë, SHIK e ushtrinë, e njëjta gjë po ndodh edhe tani. Ka një mori faktesh e të dhënash që është po ajo sindromë. Veprimi i fundit me gjeneralët e ushtrinë plotëson tablonë e këtij sindromi. Madje do të thosha dhe qëndrimet e fundit me përfaqësuesit amerikanë, gjithashtu e plotësojnë këtë kuadër që unë e quaj sindromi para eketoral i vitit ‘96 dhe pararendësi i 97-tës.
Gjeneralët e quajtën cënim të sigurisë kombëtare....?
Shkarkimet e befta të komandantëve siç janë në detyrat shumë të rëndësishme të tre gjeneralët dhe veprimet të tjera që kanë të bëjnë me ushtrinë, cënojnë në thelb sigurinë kombëtare. Së pari, fakti që një pjesë e elitës së ushtrisë hiqet papritur në kundërshtim me ligjin, cënon jo vetëm drejtpërdrejt drejtimin që ata komandonin, por krijon pasiguri në udhëheqjen e ushtrisë.
Dihet që pikërisht këto situata dobësojnë e cënojnë sigurinë kombëtare. Pasiguria te komandanti i Përgjithshëm i cili përdoret si lolo i politikës së kryeministrit, bën të humbasë besimi i ushtarakëve të ai. Të gjithë dështimet, humbjet që pëson një ushtri, gjithnjë fillojnë me goditjen e besimit të elitës ushtarake.
Ndaj përherë në kuptimin klasik e modern goditjet politike e ushtarake drejtohen mbi komandën. Për të hequr besimin e saj apo dobësuar besimin te udhëheqja, gjë që në rastin konkret komandanti i përgjithshëm u ofron atyre vetëm pasiguri dhe mosbesim. Këto si dhe veprime të tjera që po bëhen në ushtri përbëjnë të gjitha ato zhvillime apo dukuri që cënojnë sigurinë kombëtare.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.06.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)