TIRANE- Anëtari i Këshillit të “urtëve” pranë kreut të PS Rama, Sabit Brokaj vlerëson startin e qeverisë së re, veçanërisht në Ministrinë e Brendshme, ndërsa këshillon që të bëhet kujdes me elektoratin socialist që votuan ardhjen e të majtës në pushtet.
 
Anëtari i Këshillit Politik pranë kreut të PS, njëherësh ish-ministër i Mbrojtjes Sabit Brokaj, në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” është shprehur se kjo qeverisje ka nisur mirë dhe koalicioni do të funksionojë. Teksa ka bërë thirrje për kujdes me ata që i votuan, Brokaj nënvizon se duhet të ndëshkohet abuzimi i Berishës, ndryshe mazhorancën e re e pret ndëshkimi nga votuesi i saj. Ai nënvizon faktin se është e rëndësishme të bëhen reforma në institucionet e sigurisë dhe kudo.
 
Ka një muaj që qeveria e re, fryt i koalicionit PS-LSI kryesisht, ka filluar nga puna. Si e vlerësoni ecurinë e saj..?
Për muajin e parë është shumë e vështirë të japësh një përgjigjie pasi qeverisja është në fillesat e para. Por si fillim gjithçka është korrekte, është normale. Veprimet më të dukshme i ka bërë Ministria që ne prisnim, pra Ministria e Brendshme. Madje mund të them që kjo është ministri, është më përpara se gjithë dikasterët e tjerë në angazhimin e vet, pasi pritej dhe se ishte dhe më e domosdoshme. Padyshim dhe ministrinë e tjera kanë filluar mbarë punën. Të gjitha veprimet kanë qënë në përputhje me programin apo me deklarimet paraelektorale. Nuk mund të pritet, natyrisht që në vetëm një muaj të dalë dhe fizionomia e plotë e synimit për realizimin e programit qeverisës. Të presim dhe ta shikojmë.
 
Cila mendoni se është sfida e vështirë në këtë fillim mandati..?
Natyrisht që delikat është raporti i përfaqësuesve të elektoratit në këtë periudhë, pra ata që erdhën në pushtet në kuptimin e drejtimit parlamentar dhe qeverisës, me ata që i votuan për t’i sjellë në pushtet. Kjo ndjehet. Padurimi, por dhe natyrisht kriza në të cilën ndodhet në tërësi vendi, e në veçanti elektorati i majtë, kryesisht socialist, pasi ndaj tyre ka pasur një politikë shumë agresive, persekucion ekonomik, në kuptimin e largimit nga puna dhe veprime të tjera dhe ndaj biznesit që ishte afër së majtës dhe socialistëve, e bëjnë delikate çështjen. Ndaj ky moment është politikisht e psikologjikisht delikat. Drejtuesit e qeverisë apo të PS duhet ta administrojnë me shumë kujdes. Kanë një kontratë reale, si në të gjitha vendet demokratike, që do të thotë: Unë votoj, ju duhet të kujdeseni për ne që ju votuam.

Kjo nuk do të thotë që ata që kanë votuar kundër të persekutohen. Përkundrazi, kjo do të thotë që në administratë të jenë më të aftët për të bërë punë, por nëse mes dy të aftëve njëlloj, njëri është socialist, atëherë s’ka asgjë të keqe të merrte përgjegjësi pikërisht socialisti. Përkundrazi do të ishte më mirë pasi realizohej më mirë programi i majtë për të cilin votuan masivisht shqiptarët. Në këtë kuptim e them. Pasi një ekspert që ka votuar kundër këtij programi të majtë, me të njejtën aftësi si eksperti i majtë, nuk e ka sensibilitetin e duhur për të punuar për këtë program. Pra nëse Berisha mbështeste njerëzit e PD dhe realisht neglizhonte, por dhe ndëshkonte kundërshtarët, PS që unë gjykoj se është shumë më demokratike, të mos i ndëshkojë kundërshtarët e vet, por nga ana tjetër gjithnjnë preferencë të parë për të marrë përgjegjësi të mbeten ata që e kanë sjellë në pushtet.
 
Po thoni se ka pasur mangësi deri më tani...?
Deklaratat e bëra nga socialistët mendoj që tregojnë se nuk e shohin këtë proces, si një proces normal në një vend demokratik.
Herë thuhet që mos i shikoni socialistët apo kushurinjtë herën tjetër thonë shikojini. Ndaj përmenda rregullin e demokracisë, ashtu sikurse e njoh unë. Mendoj se për drejtuesit socialistë koncepti duket se s’është fort i qartë. Unë e mbështes plotësisht vendosjen e të rinjve, e kam deklaruar dhe e kam dhe të shkruar këtë, por në nivelet e tjera duhet parë ekspertiza. Shteti është një makineri e rëndë, e cila në çdo element të vet kërkon ekspertë.

Socialistët kanë ekspertë të aftë dhe këtu duhet të jenë më të kujdesshëm për t’i vendosur ata në nivelet e caktuara të qeverisjes apo të drejtimit të kësaj “makinerie” që e përmenda më lart. Vendosja e një ministri të ri dhe mosvendosja e ekspertëve në nivelet poshtë tij, sado i zoti të jetë ministri, nuk i ralizon dot objektivat qeverisëse. Por nëse vendos drejtues të mirë, ekspertë të mirë, atëherë puna do të ecë mirë e në bllok do kthehen në një ekip shumë efikas për realizimin e programit qeverisës. Me këtë observacion modest që bëj nuk kërkoj që t’i atribuoj asnjë nuancë kritike qeverisjes, por më tepër si socialist, si i majtë e si me përvojë, e bëj këtë sygjerim për të pasur kujdes në këtë drejtim.
 
Sa jetëgjatë e shihni koalicionin PS-LSI...?
Nuk do të kisha dëshirë të vazhdonim më shumë me këtë pyetje, pasi jam shprehur në kuptimin që ky koalicion u bë pasi LSI kishte keqqeverisur me Berishën. I qëndroj asaj që kam thënë që pavarësisht se si lidhet një martesë, ne themi “të trashëgohen” dhe pikë. Koalicionit PS-LSI i uroj vërtetë shumë suksese dhe të shkojë sa më gjatë që të jetë e mundur në të mirë të vendit.
 
PD në opozitë, duket sikur po ecën në gjurmët e shumë viteve më parë, ajo po bojkoton kuvendin. Si e komentoni këtë bojkot, pikërisht dhe në ditën kur jepet nga KE statusi për Shqipërinë?
Janë reflekse të vjetra të Berishës që synojnë të sjellin pengesa si gjithnjë, sa herë që Shqipëria shënon një sukses. Ju rikujtoj faktin që sapo qeverisjet socialiste kishin një sukses të dukshëm në favor të qytetarëve dhe të Shqipërisë, apo kishin një angazhim të rëndësishëm në të mirë të vendit, këtu në Shqipëri ose një proces në Kosovë në dobi të shqiptarëve, Berisha do të provokonte situatën. Meqënëse situata në qeverisje është e mirë, në Kuvend është e fortë, kjo lojë e Berishës bëhet jo në kohën e duhur dhe natyrisht që nuk do të ketë asnjë efekt politik për opozitën.

Por unë mendoj që kjo përpjekje e Berishës nuk ka për të dëmtuar as procesin e integrimit. Mendoj që dhe ndërkombëtarët, përmes përfaqësuesve të tyre, tashmë e njohin shumë mirë këtë lloj opozite të PD dhe kanë qënë që në fillim në mbështetje të zgjedhjeve, mazhorancës dhe qeverisjes së re që ka ardhur tashmë në drejtimin e vendit. Ndaj mendoj se ky veprim politik i Berishës dhe i PD nuk ka perspektivë, një veprim që nuk është në kohën e duhur dhe jo në perspektivën e tërë opozitës në përgjithësi.
 
Gjatë kohës që kanë qënë në opozitë, PS dhe aleatët kanë kërkuar ndëshkimin e abuzuesve me paratë e popullit, pushtetin, kryesisht ato në dëm të qytetarëve me humbje jete, si më 21 janar. Mendoni se ka ardhur koha tashmë...?
Avbsolutisht po. Tani është koha që duhet të vihen në vend dhe duhet të zbatohen të gjitha ato angazhime që janë marrë para fushatës elektorale. Mazhoranca e sotme do të ndëshkohej rëndë nëse nuk i mban e realizon këto angazhime të ndërmarra publikisht në periudhën parazgjedhore, pasi janë angazhime të rëndësishme, janë angazhime principiale dhe në përputhje me atë dëshirë që mezi e pret populli: realizimin e ndëshkimit të krimit të kryer dhe të vendosjes së drejtësisë.

Nuk mendoj që gjëndja aktuale e gjyqësorit apo e drejtësisë të jetë një pengesë e pakapërcyeshme. E kam thënë dhe më parë që në Shqipëri nuk ka patur drejtësi, sepse s’ka dashur politika që të kishte drejtësi. Dhe gjyqësori apo drejtësia i përshtatej politikanit apo politikës drejtuese. Nëse politikanët aktualë, qeveritarët aktualë, Rama dhe LSI duan të vendosin drejtësi, nuk kanë asnjë pengesë për ta vendosur. Pa dyshim që kanë një pushtet të fortë për ta reformuar e ringritur drejtësinë. Nëse ke votat e popullit atëherë pa tjetër që nuk ke asnjë pengesë. Dhe sikur më me pak vota, por të kesh vullnetin për të bërë drejtësinë, gjyqtarët që e shohin politikën në bebe të syrit, dhe ashtu sikurse bënin padrejtësinë, janë gati të bëjnë dhe drejtësinë.
 
Ka pasur gjithnjë akuza se është cënuar siguria kombëtare me rrjedhje informacioni, organet e sigurisë duhen reformuar, pasi janë mbushur me militantë kryesisht në SHISH e SHIU. Sa e nevojshme është kjo reformë e thellë...?
Pa diskutim, reformë rrënjësore dhe të shpejtë. Nuk bëhet dot shteti pa elementët e sigurisë kombëtare. Pushteti që vjen, në radhë të parë detyrë kryesore ka sigurinë kombëtare. Në mënyrën se si janë kompromentuar në këto tetë vite këto institucione të sigurisë, duhet përafërsisht një reformë si ajo që u bë në vitet 1997-1998. Natyrisht jo në përmasën që ishte atëherë, por studimi rrënjësor i gjendjes dhe përmirësimi i saj pothuajse rrënjësor është i domosdoshëm. Gjykoj që është plotësisht i mundshëm një reformim i tillë.

Mund të them që një model pothuajse i plotë i një reforme reale është dhënë aktualisht nga Ministria e Brendshme. Nuk është e pamundur të bëhet, pasi kontigjentet që janë futur në organet e sigurisë, SHISH etj, për mungesë profesionalizmi apo raporte të tjera nuk është vështirë që ti identifikosh dhe t’i shmangësh. Rëndësi ka realizimi i një reforme të thellë në këto elementë të rëndësishëm të sigurisë kombëtare, pasi përbëjnë dhe shtyllën kurrizore të shtetit.
 
Shkrimi u publikua sot (17.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)