Për më tepër, në të gjithë rastet kur zgjedhjet janë mbajtur, SHBA-të kanë njohur rezultatin, edhe kur në disa raste pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë prej vetëm 10%.
Analiza me titullin “Threaten but Participate, Why Election Boycotts are a Bad Idea” (Kërcëno por merr pjesë, Përse bojkoti i zgjedhjeve është një vendim i gabuar), ka analizuar me detaje 171 bojkotet e ndodhura në të gjithë vendet e botës, në periudhën 1990-2009.
Në faqen e parë të këtij studimi prej 16 faqesh, shkruhet se: “Një studim i hollësishëm i 171 bojkoteve të ndodhura në periudhën 1990-2009, tregon qartësisht se me përjashtim të vetëm disa rasteve, bojkoti i zgjedhjeve ka pasur pasoja katastrofike mbi partinë bojkotuese. Në vetëm pak raste pala bojkotuese ka arritur të marrë mbështetje ndërkombëtare dhe pothuajse gjithmonë, bojkoti ka fuqizuar palën tjetër”.
LEXO analizën e plotë në https://www.brookings.edu/wp-content/uploads/2016/06/02_election_boycotts_frankel.pdf.
Rastet që bëjnë përjashtim, në të cilat opinioni ndërkombëtar ka mbështetur palën bojkotuese, janë regjistruar në vende si Bangladeshi, Tajlanda apo Peruja, ku regjime autoritare realisht e kishin bërë pothuajse të pamundur konkurrimin e opozitës në zgjedhje.
Në të gjithë rastet e tjera, opinioni ndërkombëtar dhe SHBA-të kanë njohur dhe kanë mbështetur qeveritë që kanë dalë nga këto zgjedhje.
“Rreth 10% e zgjedhjeve në të gjithë botën janë bojkotuar nga parti të opozitës, por institucionet ndërkombëtare dhe SHBA-të kanë njohur, e madje edhe kanë përgëzuar zgjedhje në të cilat pjesëmarrja popullore ka qenë vetëm 10%”, shton më tej raporti i “Brookings”.
Në fund të këtij raporti, sqarohet se në 4% të rasteve kur bojkoti si mënyrë ka pasur sukses, ai ka ndodhur në vende ku opozita kishte një mbështetje të gjerë popullore dhe garanci pothuajse të plotë për fitoren në zgjedhje, por bojkoti u zgjodh si metodë elektorale, për të masivizuar lëvizjet opozitare e për të vendosur kushte, që do të garantonin një transparencë më të madhe të zgjedhjeve.
Në Shqipëri, opinioni ndërkombëtar, përfshi OSBE/ODHIR dhe SHBA-të kanë bërë të qartë në më shumë se një rast se do të njohin rezultatin e zgjedhjeve, pavarësisht pjesëmarrjes në to të PD-së ose jo.
Këto statistika të nxjerra nga raste të ngjashme në të gjithë botën, tregojnë se rruga e bojkotit, me përjashtim të disa rasteve unikale për nga karakteristikat, ka qenë një vetëvrasje politike për partinë që e ka zgjedhur si rrugë./Lexo.al
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com