Brother Jack

Brother Jack

Jack Goldfarb

Sipas Jack Goldfarb, shqiptarët dhe hebrejtë janë gjeografikisht larg, por në pikëpamje të hapsirës që zënë, sa janë numerikisht, fatit historik, dhe në disa këndvështrime të tjera, me njëritjetrin - ngjajnë.
Madje, shqiptarët dhe hebrejtë, jo thjesht ngjajnë, por duke mos pasur pranë vetes të tjerë si vetja, ngjajshmëria në distancë i bën vetvetiu vëllezër.
Jack, cilindo shqiptar që takonte, çdo shqiptar me të cilin kishte sadopak të bënte, e konsideronte vëlla.
Për Jack, "vëlla", bashkë me shumë e shumë të tjerë, ishte edhe, për shembull, një elbasanlli familja e të cilit kishte marrë në mbrojtje dhe kishte shpëtuar nga vdekja disa hebrej gjatë Luftës së Dytë Botërore në një katund të thellë të Librazhdit.
Jack kishte gjithashtu vëllezër të gjithë shqiptarët që kishin dhënë kontribut të ngjajshëm në Tiranë, Kavajë, Shkodër, Berat, Vlorë etj.
Në fakt, cilindo shqiptar që njihte, edhe vetëm në mardhënie epistolare, edhe vetëm virtualisht, e konsideronte vëlla.
Vetë Jack në pamje të jashtëme duket si shqiptar.
Jack-un, pa gabuar aspak, mund ta marrësh lehtësisht për përmetar, lab, mallakastriot, dibran, mirditor.
Po aq sa me shqiptarët, Jack është i pasionuar me Shqipërinë.
Aq e adhuron Shqipërinë Jack, sa vëllezër e motra të Tij janë edhe malet, luginat, lumenjtë e Shqipërisë, kudo ku ndodhen, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim.
Jack, sipas të cilit madhështia e Njeriut dhe grandioziteti i terrenit ku ai njeri jeton janë proporcionale, i mahnitur nga panorama që po kqyrte, një ditë, duke kaluar përmes maleve, tha:
-Kam vizituar mbi 120 vende të Botës. Askund s'kam parë një vend kaq malor dhe kaq madhështor, ku njerëzit janë të lartë si malet, dhe malet të butë si njerëzit.
Një herë tjetër, në një qafë mali, Jack u kuriozua nga një ngrehinë e vogël e pambaruar ku ishte shkruar "Byrek".
Jack nuk pyeti për byrekun. Jack byrek kishte ngrënë. Jack me byrekçiun ishte bërë vëlla. Jack pyeti për barrakën majë malit:
-Çfarë është kjo ?
-Ka nja dhjetë vjet që e ka nisur, i thashë. I shton çdo muaj nga një tullë. Ka qef të madh të bëjë biznes. Por nuk mundet. Aq pare ka.
-Ky vëlla me kaq durim, kaq vendosmëri, kaq vullnet, kurrë nuk do mposhtet, kurrë nuk do ndalet, kurrë nuk do zbrapset. Pas disa vitesh do ngrejë biznesin e njohur botërisht "Mc'Byrek", dhe do bëhet i pasur.
Jack, si të gjithë njerëzit gjenialë, seriozitetin me humorin i mplekste në mënyrë mahnitëse.
Shkundjen nga kalimi me makinë nëpër gropat e pafundme të një rruge të cilën e kishte lënë pa përfuduar një kompani turke, Jack e quajti "Turkish Rock".
Sa i përket ngjajshmërisë, ndikimet e ndërsjellta shqiptaro-hebreje, njihen, janë fakt historik. Sensitivi Jack Goldfarb veçse i solli në vëmendje.
Sa i përket mardhënies Amerikë-Israel-Shqipëri, Jack e përcjell atë ashtu si ajo mardhënie është. Si Trinitet. Si At, Bir, Shpirt i Shenjtë.
Jack i arrin këto lartësi, sepse Jack Goldfarb, para se të jetë amerikan, është edhe pak shqiptar. Para se të jetë "amerikan dhe shqiptar", është Hebre'. Para se të jetë gjithçka, është Njeri.
Më 15 shtator, miku i madh i Shqipërisë dhe shqipëtarëve, Jack Goldfarb, bën 100 vjeç.
Me këtë rast, shqiptarët që kanë merituar Çertifikatë Nderi vendosur në "Yad Vashem", dhe gjithë të tjerët që e njohin dhe i njeh, Jack Goldfarbin e urojnë njëzëri:
Edhe 100 Brother Jack.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë