Thash' të dal një herë rrotull, të kullos sytë, veshët, hundën, si Drini i përrallshëm, lasgushisht, mespërmes për Shqipëri.
Drita e bardhë mëngjezore mezi depërton mes gurëve të kalldrëmit të reve.
Ngjyra të kuqërremta vjeshte gjithandej.
Malet, shkëmbinjtë, humnerat, prapa Dajtit, më të thella, më të menduara, më dramatike se zakonisht.
Misterioziteti i Malit të Allamanit të mahnit çdo herë në një mënyrë tjetër.
Bulqiza mëngjezore mërdhif aq tepër sa nuk guxon me dalë nga shpia.
Megjithatë një mesoburrë që po përplas këmbët në trotuar për mos me i ndalë gjaku, thotë se: Bulqiza është vendi më i pasur në botë me krom. Nëpër galeri punohet shumë dhe paguhet shumë pak. Kromi i Bulqizës sot është në dorë të një personi të vetëm emrin e të cilit nuk ta them, ika se më erdhi makina që prisja.
Pak matanë Krajkës, dikush me kominoshe që po ndreq gardhin që me mëngjez, thotë: Minatorët e kromit paguhen 20-25 euro në ditë. Shefat, nëpunsat, teknikët, inginierat që rrallë hyjnë nëpër galeri, nga 1 në 3 mijë Euo në muaj. Gjysma e fshatit thonë se atë banorin e fshatit Godvi e masakruan familjarët me sqepar prapa kokës. Gjysma tjetër thonë se e shqeu ariu që zbriti natën nga mali. S'mbajmë dot bagëti se vjen na i çan ujku dhe ariu që zbresin nga mali.
Pak pëpara se me mrrit te Ura e Cerenecit, një çun që po pastronte me fshesë verandën e një lokali, më ndihmoi të bëjë kondicionerin e Jeep-it të nxjerri ajër të ngrohtë. I kam zët mrrokullat e makinës. Të mos kishte qënë ai çuni, do kisha përfunduar kallëp akulli anës rrugës.
Rruga e re spango Shupenzë-Maqellarë kryevepër frymëndalëse e piktorit impresionist autodidakt Alban Merakliu nga Muhurri.
Dogana jonë, e pastër dhe e rregullt, si doganë Norvegji-Suedi.
Dogana e shkive gjithashtu.
Kontrollori maqedon, një dy metrosh bjond dhe buzagaz, thotë se quhet Demir. Habitem. Edhe Shka edhe Demir, i them, sikur nuk shkon. Jam është musulman, saktëson Demiri.
Ke pa Peqinin e sotëm, zëre se ke pa Dibrën e madhe.
Hamiti i rreshkur dhe me një ekzemë në fytyrë të cilit i fola kur më kaloi para makinës, tha se: Ka dy fëmijë. Të dy në Amrikë. Çupa në New York. Çuni në Arizona. Dibra e Madhe është qytet i qetë, i pasherr. Bereqaves, s'jemi keq, e mbylli Hamiti.
Ylberin te të 60-at, topolak dhe pa dhëmbë, e takova te një kryqëzim kur po hynte te makina e vet. Tre fëmijë. Të tre në Amerikë. Pas shumë vitesh nëpunës shteti, Hamiti sot ishte në pension. Duke folur për Dibrën dhe dibranët, Hamiti këputi edhe këtë: Dibrani e ka kalu mirë me të gjithë, me Titon etj. sepse dibrani është dinak, din me manovru.
Në mes të Dibrës së Madhe ndodhet një Skëderbe prej bronxi tmerrësisht i trashë më i gjërë se i lartë. Skënderbe më të shëmtut s'ka në botë. Të kap tmerri ta shohësh. Duhet hequr prej andej ai turp gdhendur në bronx.
Pa dalë nga qyteti, mbusha serbatorin me naftë me çmim të lirë.
Rruga për në Strugë ndjek Drinin e Zi dhe kufirin me Shqipërinë rrëzë një dushknaje kilometrike përtej së cilës në perëndim ndodhet Gollobërda, dhe në lindje në faqe malesh fshatra piktoreskë sllavësh të islamizuar.
Mundohem të marr me ment ku, në cilën nga këto gërrxhe doli kur u arratis në Maqedoni nga Fushë Studa brenda një Zis-i cisternë bosh, Sela, një mik që banonte diku te Ura e Kamzës, për të cilin pas arratisjes nuk u fol më kurrë, ku vajti, çfarë i ndodhi. Me gjasa sharroi kalashnikove, e çfytyroi Qeni i Kufirit, ose mbeti brenda këtyre dushknajave ku e çau ujku, e shqeu ariu, e helmatisi gjarpëri maqedon.
Diku nja 20 kilometra nga Dibra e Madhe, në të djathtë të rrugës kryesore tabela rrugore tregon një pikë kufitare. Vete ta shoh. Shesh i vogël, zyrë e improvizuar, dy diganierë, njëri shqipo, tjetri shka, tabelë në dy gjuhë. Është pikë kalimi për banorët vendas që të kujton kufirin mes Italisë dhe Francës në filmin "La legge è Legge" me Totò dhe Fernandel.
Pas nja 20 kilometrave që zgjat peisazhi me lumë, rrugë, dushknajë, befas pamja hapet. Ka nisur fusha në veri të Strugës. Prej aty deri në Strugë, disa qyteza fushore rresht krejt identike që ndryshojnë vetëm nga emri.
Në të dalë të rrethit ku kthehem për Qafë Thanë, dy autostopista. Një çun dhe një gocë pak mbi të 20-at me nga një karton ngritur lart ku shkruhej me dorë Elbasan.
Mes atyre që udhëtojnë gratis, në këtë rast dy autostopistve të huaj dhe mua, ekziston një solidaritet i parathënë që duhet respektuar.
Ndal. I marr. Simon-i dhe Emma janë gjermanë. Jo girlfriend dhe boyfriend, por, siç e saktësojnë vetë "a couple" që i bie më tepër se friends, më pak se të martuar, ndoshta bashkëjetuesa. Më thonë se janë drejt fundit të një udhëtimi tre mujor nisur në Armeni, Turqi, Bullagari etj, pas Shqipërisë Mal i Zi, Kosovë, Serbi. Kot thonë se gjermanët janë nursizë. Unë shqipua dhe dy gjermanët bërtitëm e uluritëm me gishta në vesh për Shqipërinë, Gjermaninë, Europën, Amerikën, Botën, sa Prrenjasin, Quksin, Xhyrën, Hotolishtim, Librazhdin, Xibrrakën, Labinotin, i çmendëm. I lashë në Elbasan te një vend me emrin pompoz: "Regional and International Bus Terminal Elbasan" në një zgëq që navigatori i Jeep-it mezi e gjeti. Aty do merrnin autobuzin për në Berat. U thashë se Berati është magjik, përrallor, surreal, sugjestiv, frikshëm i bukur, aq sa kur ta shohin duhet të bëjnë kujdes mos sëmuren nga Sindroma Stendal. Nemcet hedhin mbi shpinë çantat e rënda, dhe zhduken mes autobuzave.
Sipas një hesapi të thjeshtë që bëra duke u kthyer në Tiranë, me naftën e lirë që mora në Maqedoni mund të bëj turizëm gratis, përveç këtij udhëtimi, edhe një vajtje-ardhje në Theth.










Komente
Komento