BRUKSEL- Gjatë një mbledhjeje në Bruksel të Belgjikës, asnjë vend i BE-së nuk pranoi të shkatërronte armët kimike siriane në tokën e saj.
 
Ndërkohë ishin të shumtë ata që kërkonin shkatërrimin e këtij arsenali në tokën siriane.
 
Ministri i Jashtëm hollandez, Frans Timmermansu u shpreh se “në vend që të çoheshin armët kimike te aparaturat e shkatërrimit, ndoshta mund të çoheshin aparaturat tek armët kimike”.
 
Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle gjithashtu hoqi nga lista vendin e tij duke thënë se kur shikonte anën teknike dhe shtrirjen gjeografike, një diskutim i tillë nuk kishte sens.

Këto refuzime vijnë menjëherë pas atij të Shqipërisë ditën e premte. Alternativa të tjera ishin Belgjika dhe Franca të cilat kanë një histori të gjatë të shkatërrimit të arsenalit kimik nga Lufta e Parë Botërore.

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike miratoi planin për shkatërrimin e arsenalit kimik i cili vlerësohet në rreth 1 300 ton, jashtë Sirisë, por ende nuk është gjetur vendi se ku do të ndodhë ky proces.

Megjithëse nuk ka bërë të ditur se ku mund të shkatërrohen këto armë, ONAK mbetet i sigurtë që mund të asgjesojë të gjithë arsenalin brenda qershorit të vitit të ardhshëm.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)