BRUKSEL, 12 shkurt /ATSH-AFP/ - Marrëveshja e Minskut nuk garanton një sukses afatgjatë në Ukrainë, konfirmoi sot presidenti francez, François Hollande duke shtuar se orët e ardhshme do të ishin vendimtare.
"Kjo nënkupton që ne duhet të vazhdojmë të jemi vigjilent, të ushtrojmë presion dhe të vazhdojmë lëvizjen që kemi ndërmarrë", shtoi Hollande pas rikthimit nga Minsku, ku mori pjesë në negociatat për një marrëveshje armëpushimi.
"Ne jemi në një moment vendimtar", theksoi presidenti francez. Marrëveshja është më shumë se një dritë shprese, por ka ende për të vendosur në një mënyrë apo tjetër dhe orët e ardhshme do të jenë vendimtare", shtoi ai.
Pa përmendur Rusinë dhe Ukrainën, Hollande nënvizoi përgjegjësinë e atyre që kanë nënshkruar planin.
Presidenti i Këshillit Evropian, polaku Donald Tusk, gjithmonë shumë i kujdesshëm përballë Rusisë, e përshëndeti lajmin e mirë që jep shpresë. "Por shpresa nuk është e mjaftueshme, testi i vërtetë do të jetë respektimi i armëpushimit në terren", nënvizoi ai duke shtuar se marrëveshja e parë e Minskut nënshkruar në muajin shtator nuk ishte respektuar./
/ec/