BRUKSEL - 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë është kremtuar në selinë e NATO-s në Bruksel, ku ka qenë i pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen.

Duke iu drejtuar ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, i cili ishte i pranishëm në këtë ceremoni, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen theksoi

“3 vjet e gjysmë përpara, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO i tregoi botës se ideja e lirisë është e pathyeshme. Me anëtarësimin në NATO, Shqipëria ka forcuar sigurinë e saj të brendshme dhe atë të NATO-s dhe të tërësisë së Aleancës Atlantike.” – theksoi në fjalën e tij Rasmussen.

NATO

Më tej Rasmussen u shpreh se “së bashku me aleatët e tjerë të NATO-s, Shqipëria është angazhuar për mbrojtjen e sigurisë dhe vlerave tona të përbashkëta. Shqipëria e ka treguar se mund ta kryejë këtë angazhim. Vendi juaj është një aleat i denjë”- ka përfunduar përshëndetjen e tij z. Rasmussen.

Ambasadori ynë në NATO Artur Kuko vlerësoi ditën e sotme si të veçantë. “ Ky është një përvjetor i veçantë ku Shqipëria e ka treguar se e ka merituar vendin në NATO. Prezenca juaj sot tregon solidaritetin dhe respektin për shtetin tonë.”- tha zoti Kuko.

Ndërkaq ministri i Mbrojtjes, Arben Imami theksoi se Shqipëria e sotme është më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe është një faktor stabiliteti në Ballkan duke luajtur rol konstruktiv në të gjitha politikat rajonale dhe jep kontributin e saj për paqen dhe sigurinë globale.

rasmussen nato 100 vjetori pavaresia

Në ceremoninë e organizuar, në selinë e NATO-s, nga përfaqësia e Republikës së Shqipërisë në Nato me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë  nuk mund të mungonte dhe torta me simbolin kombëtar shqiptarë.

NATO

(Foto nga ceremonia në selinë e NATO-s në Bruksel)

(jd/Shqiptarja.com)