BRUKSEL - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen dënoi sot hyrjen e autokolonës ruse me ndihma në Ukrainë duke shtuar se ky zhvillim vetëm do të thellojë krizën në rajon.
"Hyrja e kësaj autokolone pa miratimin e Ukrainës dhe pa asnjë përfshirje të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq përbën një shkelje flagrante të angazhimeve ndërkombëtare nga Rusia dhe një shkelje tjetër të sovranitetit ukrainas nga Rusia", konfirmoi Rasmussen, cituar në një komunikatë.
"Kjo vetëm do të thellojë krizën në rajon", theksoi ai.
"Mospërfillja e principeve humanitare ndërkombëtare ngre pikëpyetje të tjera kur bëhet fjalë nëse objektivi real i kësaj autokolone është për të ndihmuar civilët apo për të furnizuar separatistët me armë", shtoi ai.
Sipas Rasmussen, hyrja e autokolonës përkon me një përshkallëzim të mëtejshëm të implikimit rus në Lindjen separatiste të Ukrainës që prej mesit të muajit gusht duke përfshirë këtu dhe përdorimin e forcave ruse.
NATO njoftoi në fillim të muajit gusht një rritje të numrit të ushtarëve rusë përgjatë kufirit me Ukrainën, që ka arritur, sipas saj nga 12 000 në muajin korrik në 20 000 duke e parë këtë si një situatë të rrezikshme./ATSH/