BRUKSEL - NATO i kërkoi sot Rusisë të ndërpresë veprimet e paligjshme ushtarake në Ukrainë dhe nuk mbylli portën për një anëtarësim të Kievit në Aleancë.

Duke denoncuar një përshkallëzim të rëndë të agresionit ushtarak rus, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka dënuar me tone të ashpra shkeljet e vazhdueshme nga Rusia të detyrimeve ndërkombëtare.

"Ne i kërkojmë Rusisë të ndërpresë veprimet ushtarake të paligjshme, të ndërpresë mbështetjen për separatistët e armatosur dhe të marrë masa të menjëhershme për qetësimin e krizës", deklaroi ai në përfundim të një takim urgjent në nivel ambasadorësh.

I pyetur për vullnetin e Ukrainës për rifillimin e procesit të anëtarësimit në NATO, Rasmussen përmendi vendimin e marrë në vitin 2008 (...) nga NATO, sipas të cilit Ukraina do të bëhej një shtet anëtar, nëse ky vend dëshironte dhe nëse përmbushte kushtet e nevojshme./ATSH/